Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji lirohet me kusht

13:56 | 8 Korrik 2025
E.K

Tre muaj para përfundimit të dënimit me 1 vit burg për kallëzim të rremë në lidhje me dosjen “Babale”, Ervin Salianji lirohet nga qelia. Vendimi u mor rreth mesdite nga Gjykata e Fierit. Shërbimi i Provës paraqiti raport pozitiv për kërkesën e tij.

Më herët në seancën e sotme, edhe prokurori i çështjes shprehu dakordësi, duke kërkuar lirimin e demokratit, i cili ka kryer 9 muaj nga dënimi prej 1 viti burg. Pas këtyre zhvillimeve, gjyqtari i tërhequr për vendim i dha ok-ein lirimit nga qelia të ish-deputetit.

Ervin Salianji kishte bërë kërkesë për lirim me kusht, pasi kreu 3/4-at e dënimit të dhënë më 26 shtator 2024. Seanca e fundit u shty për më 8 korrik pra sot, ku dhe u paraqit një raport nga Shërbimi i Provës që konkludoi se përmbushen kushtet për ta liruar. Burgu i Fierit kishte paraqitur një raport pozitiv dhe gjasat ishin që Salianji të lirohej.

Ai ndodhej i izoluar në burgun e Fierit prej muajit tetor të vitit të kaluar. Ai doli nga gjykata dhe ka paralajmëruar dhënien e një konference për shtyp në orën 17:00 të pasdites./tar