Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka pritur sot në një takim kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, ku u diskutua për situatën, problematikat dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Pas takimit, ministri ka reaguar në platformën X, duke theksuar angazhimin e Shqipërisë për të mbështetur dhe mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në këtë rajon.
“Pata kënaqësinë të pres sot në takim Kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani. Biseduam hapur për situatën, problematikat dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës,” – ka shkruar Hoxha.
Ai ka nënvizuar se Shqipëria është e vendosur të qëndrojë pranë shqiptarëve të Luginës, duke e konsideruar këtë si një detyrim kombëtar dhe institucional.
“Shqipëria mbetet tërësisht e përkushtuar për të mbështetur dhe mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginë. Institucionet shqiptare do të vijojnë të ndjekin me vëmendje situatën e shqiptarëve atje dhe mbeten të angazhuara në mënyrë të vazhdueshme, si në dialogun dypalësh ashtu edhe në forumet ndërkombëtare, për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre legjitime, për të adresuar çështjet që i shqetësojnë dhe për të nxitur politika që garantojnë barazi, respekt dhe mundësi të drejta,” – ka theksuar ministri.
Në reagimin e tij, Hoxha ka vënë theksin tek rëndësia e respektimit të të drejtave të njeriut, identitetit kombëtar, gjuhës dhe përfaqësimit të drejtë institucional, duke e cilësuar këtë si themel për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe gjithëpërfshirëse.
“Mbështetja për zhvillimin ekonomik, arsimor dhe kulturor të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës mbetet një prioritet i rëndësishëm. Shqipëria do të vazhdojë të punojë ngushtë me përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginë dhe me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar barazi, dinjitet dhe perspektivë për të ardhmen e tyre,” – ka shtuar ai.
/rtsh.al/
Ribashkohen Elijona, Klodi dhe Londrimi, u bashkohet edhe nj...
Serbia blen raketa kineze “shkatërruese”, Kroacia njofton NA...
Këto simptoma tregojnë rënie të kalciumit në gjak: Kur gjend...
Sherr në BBV, Mali hedh ujë në fytyrë Rogertit
Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rry...
Athletic po e mendon shitjen e Williams pas një sezoni zhgën...