Hoxha bisedon me homologun kroat për sigurinë energjetike përmes projekteve rajonale

23:15 | 20 Mars 2026
Q L

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha zhvilloi të premten një bisedë telefonike me homologun e tij kroat, Gordan Grlic-Radman.

Hoxha informoi se gjatë bisedës u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneriteti i fortë strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë.

Po ashtu, sipas ministrit shqiptar, u theksua rëndësia e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në sektorë kyç, përfshirë ekonominë, energjinë, mbrojtjen dhe turizmin.

“Vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të ndërlidhjes dhe sigurisë energjetike përmes projekteve madhore rajonale, si Korridori Adriatiko-Jonian, Gazsjellësi Trans Adriatik dhe zgjerimi i tij me Gazsjellësin Joniano-Adriatik si dhe mbi Iniciativën e Tre Deteve, shtylla të rëndësishme për rritjen dhe qëndrueshmërinë në Evropën Juglindore”, u shpreh Hoxha.

Ai njoftoi se gjatë bisedës shkëmbeu gjithashtu pikëpamje mbi sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal, duke nënvizuar përgjegjësinë e përbashkët si aleatë në NATO, për të kontribuar në paqe, stabilitet dhe mbrojtje kolektive.

“Si partnerë të afërt, mbetemi të përkushtuar fort për avancimin e sigurisë, stabilitetit dhe një të ardhmeje të përbashkët evropiane për rajonin”, u shpreh ministri shqiptar, Ferit Hoxha

Shpërndaje në rrjete sociale