Korniza e negociatave, dokumenti që përcakton udhërrëfyesin e bisedimeve midis Shqipërisë dhe BE-së pritet të prezantohet më 3 qershor. Por ndërsa Shkupi pret t’i hapë kapitujt e parë brenda tetorit, për Tiranën nuk ka ende një afat. Problem mbeten kushtet e vendosura nga BE-ja dhe koha që do t’iu duhet vendeve të harmonizojnë qëndrimet mes tyre.
Komisioni Europian pritet të publikojë më 3 qershor dokumentin kornizë të negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së. Ndërkohë për shkak të gjendjes së pandemisë progres raporti dhe pakoja financiare është shtyrë për në muajin tetor. Korniza e negociatave është dokumenti bazë mbi të cilin Shqipëria dhe Komisioni i BE-së do të zhvillojë bisedimet e pranimit.
Në Komisionin Europian thonë se “drafti i kornizës së negociatave do t’i shkojë së pari Grupit të Punës mbi Zgjerimin në Këshillin e BE-së dhe më pas vendet anëtare do të paraqesin mendimin e tyre. Ndërsa është e paqartë se sa kohë do të duhet për harmonizimin e qëndrimit të të gjitha vendeve.”
Deri tani është bërë e qartë nga Brukseli se për Maqedoninë Veriore nuk ka ndonjë kundërshtim dhe brenda tetorit ky vend mund të sigurojë miratimin e kornizës së negociatave nga çdo vend anëtar ashtu dhe të organizojë konferencën e parë ndërqeveritare të integrimit ku hapet kapitulli i parë negociues.
Ndërkohë për Shqipërinë problemet janë në dy plane. Së pari Tirana zyrtare duhet të përmbushë një sërë kushtesh deri në thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare, ndërsa së dyti kriza e tejzgjatur politike dhe mungesa e institucioneve kryesore të drejtësisë, si Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë, mund të sjellin pengesa dhe kundërshtime nga vende të ndryshme anëtare, skeptike ndaj zgjerimit dhe vetë Shqipërisë./oranews
Vetura përplaset me turmën e paradës në qytetin holandez Nun...
Dani Alves drejt rikthimit sensacional në fushë, gati të lua...
Abdixhiku prezanton zotimet e LDK-së në Suharekë: Paga, pens...
Turqia pret që faza e dytë e armëpushimit në Gazë të nisë në...
“Tifozët nuk kanë paguar për të parë këtë…”...
Lëndimi i Gonzales ‘goditje’ e madhe për Atletic...