Gonzato: Zbatimi i reformave, thelbësor për mbylljen e negociatave në vitin 2027

08:57 | 13 Nëntor 2025
E.G

Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi sot se zbatimi i reformave është thelbësor për mbylljen e grup-kapitujve të integrimit në vitin 2027.

Në një intervistë televizive, Gonzato nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të opozitë në këtë proces.

Hapja në një kohë të shkurtër e të gjithë grup-kapitujve për ambasadorin Gonzato është një arritje pozitive. “Kjo tregon se shtetet anëtare në Bruksel duan të jenë të hapur ndaj ambicies së Shqipërisë për t’u bashkuar. Por ky është momenti që ne testojmë gatishmërinë e Shqipërisë për të zbatuar reformat”, tha ai.

Për të mbyllur grup-kapitujt, sipas ambasadorit, duhet të zbatohen reformat, jo thjesht t’i kesh në letër.

“Muajt që do të vijnë duhet të miratohen një numër ligjesh. Ritmet do të jenë intensive duhet të sigurohemi që të mbajmë këtë ritëm. Progresraporti e thotë qartë se të gjithë duhet të përfshihen në këtë proces. Nëse nuk do arrini standardet nuk do të mbyllni dot kapitujt”, tha Gonzato.

Sipas tij, “të gjitha forcat politike duhet të luajnë rolin e tyre në parlament”.

“Do vazhdoj të flas për lejimin e opozitës për të luajtur rolin e saj. Opozita duhet të jetë e gatshme për këtë, por duhet që edhe shoqëria civile dhe biznesi ta bëjë. Opozita duhet të ketë mundësinë dhe vullnetin që të luajë rolin e saj. Unë përqendrohem që ajo të ketë mundësinë”, shtoi ai.

Ndërkohë, ambasadori nënvizoi se Reforma në Drejtësi është çelësi i përparimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Edhe në progresraport kur merremi me luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar, arritjet e SPAK-ut vihen në pah. Por ne kërkojmë më shumë. Kërkojmë të intensifikohen hetimet financiare, të rritet sekuestrimi i aseteve dhe pronave që u përkasin kriminelëve, të intensifikohet bashkëpunimi me agjencitë e zbatimit të ligjit të shteteve anëtare”, tha ai.

Ndërsa vlerësoi arrritjet e deritanishme, Gonzato theksoi se “ne duam më shumë”.

“Duam një drejtësi të zakonshme më të mirë dhe më efikase, sepse qytetarët e zakonshëm nuk i shohin vërtet avantazhet, përfitimet e reformës. Nevojitet po ashtu një vlerësim i vazhdueshëm i integritetit të magjistratëve. Dhe këto janë gjëra që ata duhet të bëjnë”, shtoi Gonzato./atsh.al