Policia greke ka shkatërruar një grup kriminal, i cili ishte përfshirë në gjobëvënës ndaj bizneseve në Athinë. Në pranga kanë rënë 5 shtetas, mes të cilëve 3 shqiptarë, njëri prej tyre pjesë e grupit famëkeq “Lions”.
Të arrestuarit janë Ukshim Hoti, 41 vjeç nga Tirana, Roland Kadiu, 43 vjeç nga Klosi, Nexhmi Murataj, 42 vjeç nga Kota e Selenicës si dhe një 34-vjecar grek e një 38-vjecar egjiptian.
Bëhet fjalë për persona që qarkullonin me automjete nëpër Patisia, Kypseli dhe Agios Panteleimonas, duke u kërkuar para pronarëve të dyqaneve për “mbrojtje”. Në fakt, kërcënimet që ata kanë përdorur dhe dëmi që u kanë shkaktuar dyqaneve, së bashku me përmasat fizike të shtuara, kanë penguar pronarët të bëjnë denoncim.
Nga kontrollet fizike, si dhe nga kontrollet e kryera në banesa, janë gjetur dhe sekuestruar 2 makina dhe motoçikleta, si mjete për lehtësimin e veprimtarive të paligjshme, 5 thika të palosshme, 2 këllëfa, pistolete, jelek luftarak, jelek antiplumb, kapele, maskë, doreza, shënime të shkruara me dorë, me adresa, emra dhe shuma numerike, 8 celularë dhe 6.900 euro.
Nga hetimet e deritanishme, rezultoi se të pandehurit u kanë zhvatur shuma parash 4 pronarëve të dyqaneve në Athinë.
Nexhmi Murataj rezulton pjesë e grupit kriminal “LIONS” në Athinë. Grupi kriminal shqiptar “LIONS” me qendër në Athinë, prej disa kohësh është kthyer në epiqendër të dhjetëra krimeve të ndodhura në shtetin fqinj, duke lënë pas edhe persona të vrarë.
Grupi kriminal i përbërë nga shtetas shqiptarë, të cilët operojnë rreth klubit të njohur “Bellavita” në kryeqytetin grek, dyshohet se ka lidhje me njerëz të fuqishëm të botës së krimit brenda burgjeve greke, të akuzuar madje deri edhe për trafik kokaine nga Amerika Latine.
Në epiqendër të veprimtarisë së tyre dyshohet se është kontrolli i shpërndarjes së drogës, ruajtja e lokaleve të natës kundrejt pagesës si dhe vepra të tjera me qëllime përfitimi.
Në këtë kuadër ky grup kriminal dyshohet se ka krijuar lidhje shumë të forta edhe me njerëz të policisë e organeve të drejtësisë greke pasi edhe pse janë akuzuar për krime të rënda, kanë arritur të fitojnë lirinë duke u bërë objekt edhe i shkrimeve në mediat greke.
Murataj konkretisht rezulton se është akuzuar edhe për ngjarjen e 21 shkurtit 2023 në Nea Ionia në Athinë, ku nga të shtënat me armë zjarri, mbeti i vrarë 40-vjecari nga Delvina, Pëllumb Islami. Nuk dihet se si Murataj dhe disa anëtarë të tjerë të “LIONS” të akuzuar për këtë vrasje, kanë përfituar lirinë.
Arrestohen katër persona për disa vjedhje të rënda në Obiliq...
Mbi 40 minuta kafe në një restorant në Vlorë, Rama dhe vajza...
Bora siguron kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovë...
Kongresi i SHBA-së adreson diskriminimin ndaj shqiptarëve në...
Hoxhaj në Forumin e Davos-it: Pa reagim perëndimor, hegjemon...
Arrestohet pas tre muajsh 19-vjeçari që grabiti në Prishtinë