Gjyqi për vrasjen, nëna e Martin Canit: Seancat të jenë me dyer të hapura

18:35 | 10 Mars 2025
D.H

Në Gjykatën e Tiranës u shty sot seanca paraprake për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani. Sipas medieve, shkak për shtyrjen e seancës u bë mungesa e shokut të Martin Canit, që mbeti i plagosur pas konfliktit që ndodhi pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.

Pas shtyrjes së seancës, ka folur edhe avokati mbrojtës i prindërve të Martin Canit, i cili u shpreh se kjo çështje do të ndiqet deri në fund për të gjetur drejtësi dhe për faktin që ngjarje të tilla të mos përsëriten më në institucione arsimore apo publike kudo në Shqipëri.

“Bashkë me familjarët ishim prezent në proces. Do e ndjekim çështjen me detaje deri në fund për të gjetur drejtësi. Gjykata ka vendosur që seancat do të jenë me dyer të mbyllura, ne do ta kundërshtojmë në proceset e ardhshme. Duhet të jenë të njoftuara të gjitha palët që të njihen me aktet, në mënyrë që procesi të vazhdojë. Familja ka kërkesën që çdo detaj të zbardhet, çdo gjë e errët të zbardhet për qytetarët, interesi nuk është vetëm i familjes, por i të gjithë shqiptarëve”, tha avokati Redi Ramaj.

Nga ana tjetër, e ëma e Martin Canit tha për gazetarët se “shteti duhet të bëjë drejtësi dhe seancat të mbahen me dyer të hapura se nuk ka sekrete për të fshehur”.

“Do luftoj deri në fund që të dalë drejtësia. Ne nuk kemi qenë të thirrur as nga mësuesit dhe nga asnjë. Fëmija im humbi jetën në mënyrë tragjike dhe në rrethana që ishin të menduara. Unë do të luftoj që të dalë e drejta dhe të mbrohen gjithë fëmijët. Sot më ra mua, nesër mund t’i ndodh kujtdo. Unë flas me ndjenja nëne, seancat të bëhen në mënyrë të hapur, nuk kemi çfarë mbajmë sekret, në mënyrë që kjo tragjedi të mos ndodhë në asnjë familje”, tha Florina Cani./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme