Gjendet i vdekur bariu, dyshohet se është vrarë

10:28 | 8 Shtator 2015
M. A.

Një bari 34-vjeçar u gjet i pajetë nga policia në malin e Pigadhes pranë fshatit Kopacez në Delvinë. Policia tha se ka identifikuar viktimën, E.Nora dhe se dyshimet e para janë që 34-vjeçari të jetë vrarë me armë. Megjithatë, nuk përjashtohet edhe pista e vetëvrasjes.

Sipas policisë, 34-vjeçari punonte bari me lopë në këtë zonë. Zona ku është gjetur viktima ndodhet larg shtëpive të banuara të fshatit, ndërsa trupi i pajetë është konstatuar nga banorë të zonës. Policia, prej orëve të para të mëngjesit, është vendosur në vendngjarje ku edhe ka nisur hetimet për të zbuluar gjithçka ka ndodhur me viktimën. Trupi i pajetë është dërguar për në morgun e Vlorës, ku ekspertët mjeko-ligjorë do të bëjnë me dije nëse është vrarë apo vetëvrarë.

Nga të dhënat e para që vijnë nga policia e Vlorës bëhet me dije se viktima ishte një person pa probleme dhe nga gjithë dëshmitë e grumbulluara ditën e djeshme është mësuar se nuk rezulton të ketë patur konflikte me ndonjë person, ndaj edhe dyshimet e para shkojnë për një vetëvrasje nga depresioni. Mirëpo, ka dyshime se bariu edhe mund të jetë vrarë, për shkak se plaga dyshohet se është shkaktuar nga distanca. Mjeko-ligjorët, deri orëve të vona të mbrëmjes, nuk kanë bërë publike asnjë të dhënë mbi ekspertimin./Shekulli.al

Shpërndaje në rrjete sociale