Durrës: Sekuestrohen armë dhe drogë, në pranga 3 persona

10:49 | 10 Shtator 2015
M. A.

Policia e Durrësit ka arrestuar tre persona dhe ka sekuestruar një arsenal armësh në fshatin Radë. Sipas policisë, në pranga kanë rënë shtetasit Pjetër Shota, 56 vjeç, Ilir Shota, 35 vjeç dhe Marios Paluçi, 24 vjeç nga Hamallaj.

Bëhet e ditur se gjatë kontrollit në bagazhin e mjetit tip Fiat, me drejtues Ilir Shotën dhe pasagjer Mario Paluçin, janë gjetur 5 kilogramë kanabis sativa, si dhe u sekuestrua mjeti.

Sipas policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Pjetër Shotës, u gjet një armë zjarri automatik, model 56 me kalibër 7.62 mm, një pushkë model 63, kalibër 7.62 mm, një çifte, 6 krehër automatiku model 56 me 95 fishekë, kalibër 7.62 mm dhe dy krehër me 40 fishekë, model 54, me kalibër 7.62 mm.

Mësohet se mbi shtetasit Ilir Shota dhe Mario Paluçi, rëndon akuza e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”. Ndërsa mbi Pjetër Shotën rëndon akuza e “armëmbajtjes pa leje” dhe “mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Shpërndaje në rrjete sociale