Dhuna e ushtruar në Kuvend dhe djegia e karrigeve në hyrje të institucionit nga deputetët e opozitës do të ndiqen penalisht. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Hoxha bëri të ditur se të gjitha pamjet filmike dhe provat materiale të mbledhur janë referuar në SPAK për të ndëshkuar ligjërisht autorët.
Ministri i cilësoi aktet e dhunës në Kuvend si të papranueshme dhe të ndëshkueshme në një institucion që duhet të jetë tempulli më i lartë i demokracisë.
“Flakët e zjarrit, pasditen e djeshme, në dyert e Kuvendit të Shqipërisë, që është tempulli më i lartë i një sistemi demokratik, janë akt që përdhos ndjenjat e qytetarëve të këtij vendi. Kuvendi mbetet thelbi i shprehjes së vullnetit dhe besimit të votuesve, ndaj çdo akt vandalizmi brenda apo në dyert e tij, është absolutisht i papranueshëm dhe i ndëshkueshëm ligjërisht. Pengimi i ushtrimit të funksioneve kushtetuese, heqja me dhunë e të drejtës së fjalës, goditja për shkak të detyrës, rrezikimi jetës së deputetëve duke i goditur me mjete të forta, shkatërrimi me zjarr i pronës publike ishin akte të rënda dhune dhe vandalizmi”, shkruan Hoxha.
Lidhur me djegien e karrigeve të sallës së Kuvendit, Hoxha thotë se organet ligjzbatuese kanë mbledhur provat në sallën e Kuvendit për të gjitha vandalizmat e bëra gjatë seancës 20 minutëshe të zhvilluar më 30 shtator.
“Në Parlament nuk vihet me shishe benzine, por për të ushtruar lirinë e të drejtës së fjalës mbi bazën e mandatit që merr nga zgjedhësit. Zjarrvënia, por dhe aktet e tjera të dhunës gjatë seancës parlamentare, ishin vendngjarje për organet ligjzbatuese. Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë kryer menjëherë të gjitha veprimet procedurale, duke administruar pamjet filmike dhe çdo element tjetër me interes për hetimin. Ngjarja do të referohet në përfundim të këtyre veprimeve, në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për shkak të cilësive të veçanta, që kanë deputetët”, shkruan Hoxha.
Në seancën parlamentare të 30 shtatorit, opozita krijoi një skenar dhune në Kuvend për shkak të arrestimit të deputetit demokrat Ervin Salianji, i cili u dënua me 1 vit burg për “kallëzim të rremë”.
Parlamenti nisi me tensione, bllokim të foltores, hedhje të sendeve drejt Kryetares së Kuvendit dhe kulmoi me djegien e karrigeve përpara godinës ku zhvillohen seancat plenare. Kjo bëri që seanca të mbyllet pas 20 minutash dhe ekspertët e kriminalistikës të nisin inspektimet e tyre në “skenën e dhunës”./rtsh.al/
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën
LDK mban konferencë për media
Moti sot me diell dhe vranësira të shpërndara
Pozicioni që ju ndihmon të flini më mirë gjatë natës
BE do të vendosë sanksione të reja ndaj Iranit
KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të shtunën...