Çmimi i naftës-Rama: Bordi i Transparencës është vënë në lëvizje për të shmangur abuzimet

10:21 | 29 Mars 2026
E.G

Kryeministri i Shqipëriësë, Edi Rama deklaroi se Bordi i Transparencës është aktivizuar dhe vendosur në lëvizje për të shmangur çdo mundësi abuzimi në dëm të konsumatorëve.

Në episodin e ri të podcastit të tij “Flasim”, Rama u ndal te çështja e çmimit të naftës, duke theksuar se Bordi i Transparencës është vënë në lëvizje “për të reflektuar impaktin e luftës ndaj regjimit kriminal të Teheranit mbi çmimet në tregun e naftës, duke shmangur abuzimet me këtë impakt në dëm të konsumatorëve”.

Rama sqaroi se sipas të dhënave të bursës së Mesdheut, çmimet e nënprodukteve kryesore të naftës kanë pësuar ulje në ditët e fundit.

“Në përputhje me këtë, Bordi ka reflektuar menjëherë këtë ulje edhe në çmimet vendase.„Bordi i Transparencës reflektoi menjëherë edhe uljen e çmimit në vend, duke bërë atë që ka detyrë të bëjë: përcaktimin e çmimeve tavan dhe pamundësimin e abuzimit me situatën në dëm të konsumatorit“, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se Bordi nuk vendos çmimin e naftës arbitrarisht, nuk ul çmimin e naftës “duke vënë në rrezik vetë kapacitetet e furnizimit, por thjesht dhe vetëm mbikëqyr lëvizjen e çmimit.”

“Kjo do të thotë që, në varësi nga lëvizja e çmimit në bursë, bordi qëndron vijimësisht në anën e konsumatorëve, e drejtuesve të mjeteve, e qytetarëve dhe ruan kufijtë e qartë mes çmimit të rritur objektivisht si rezultat i lëvizjes në tregun ndërkombëtar, prej ku edhe importohet nafta në Shqipëri, dhe, nga ana tjetër, abuzivitetit që, në këto raste, nëse gjen shesh, bën gjithmonë përshesh.

E theksoj edhe njëherë, Bordi nuk vendos çmimin e naftës arbitrarisht, nuk ul çmimin e naftës duke vënë në rrezik vetë kapacitetet e furnizimit, por thjesht dhe vetëm mbikëqyr lëvizjen e çmimit dhe nuk u lejon operatorëve që të luajnë pas kurrizit të konsumatorëve“, shtoi ai.

Rama nënvizoi se Bordi nuk vendos çmime arbitrarisht, por vetëm mbikëqyr lëvizjet e çmimeve ndërkombëtare dhe ndërhyn për të parandaluar spekulimet.

“Deri tani duket se gjithçka funksionon ashtu siç duhet, por do të bëjmë çmos që, deri në përfundim të kësaj situate që nuk varet aspak nga ne, gjithçka të jetë transparente dhe asgjë e tepërt të mos cenojë konsumatorët“, deklaroi më tej kryeministri Rama.

/rtsh.al/

 

Shpërndaje në rrjete sociale