Begaj mesazh të rinjëve: Keni energjinë dhe potencialin e brezit që do të ndërtojë të ardhmen

22:31 | 15 Tetor 2025
E.H

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se të rinj e të reja, keni energjinë dhe potencialin e brezit që do të ndërtojë të ardhmen, një brezi që di të mendojë, të analizojë, të bashkëpunojë dhe të respektojë rregullat e lojës së ndershme.

Këtë mesazh për të rinjtë dhe të rejat Begaj e bëri nga Durrësi, ku ishte i ftuar në ceremoninë përmbyllëse të Kampionatit Botëror të Shahut për të Rinj, i cili bëri bashkë talente nga e gjithë bota, transmeton Arbresh.info.

Në fjalën përshëndetëse, Begaj e cilësoi momentin e kurorëzimit të fituesve të këtij Kampionati Botëror si festë të dijes, ndërsa i këshilloi të rinjtë të ruajnë vlerat që ndërtojnë qytetarin e së nesërmes, profesionistin e ndershëm dhe njeriun me integritet.

“Shahu nuk është vetëm një lojë. Ai është gjimnastikë e mendjes, ushtrim i karakterit dhe një mënyrë për të ndërtuar strategjinë e mendimit, durimin dhe përqendrimin. Në çdo lëvizje të figurave, në çdo hap të menduar me kujdes, qëndron një mësim për jetën: si të shohësh përtej momentit, të mendosh me maturi, të kuptosh se çdo vendim ka pasojën e vet, ashtu si në jetë, ku çdo zgjedhje kërkon përgjegjësi, reflektim dhe guxim. Në këtë kuptim, shahu është shkollë, shkolla e qetësisë, logjikës dhe respektit për kundërshtarin”, – deklaroi i pari i shtetit shqiptar.

Ndërsa përgëzoi fituesit dhe pjesëmarrësit në garën ndërkombëtare të shahut, Presidenti Begaj theksoi se ata janë shembulli më i mirë se si sporti dhe arsimi, mendja dhe karakteri, mund të ecin krah për krah.

“Mbajeni të gjallë këtë frymë përtej këtij kampionati: në shkolla, në komunitete, në jetën e përditshme! Një shoqëri që investon në mendje të qeta dhe në zemra të pastra, është një shoqëri që ecën me siguri drejt së ardhmes”, deklaroi Begaj, përpara më shumë se 750 shahistëve të rinj nga më shumë se 90 shtete, trajnerëve, arbitrave dhe figura të njohura të botës së shahut./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme