Në ditët e fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka mbledhur në një tryezë iftari gazetarë dhe punonjës të medias.
Përtej ceremonialit tradicional, Begaj e shfrytëzoi këtë takim për të përcjellë një mesazh të thellë mbi etikën e komunikimit, përgjegjësinë publike dhe peshën e fjalës në një kohë kur informacioni qarkullon me shpejtësi të paprecedentë.
Duke u ndalur te rëndësia e këtij muaji si një periudhë reflektimi dhe vetëpërmbajtjeje, Begaj theksoi për gazetarët konceptin e “agjërimit të fjalës”.
Për Presidentin, misioni i profesionistëve të medias ka ngjashmëri të madhe me vetëpërmbajtjen shpirtërore.
“Gazetaria, në kulmin e saj, është një formë e ‘agjërimit të fjalës’, është aftësia për të mos thënë gjithçka që dëgjon, por vetëm atë që është e vërtetë dhe e dobishme,” theksoi Begaj, duke kërkuar nga gazetarët që ta filtrojnë dhe verifikojnë informacionin para se ta bëjnë atë publik.
Etika në epokën ku “çdo telefon është redaksi”
Në fjalën e tij, Presidenti solli në vëmendje referenca nga tradita islame, duke cituar Kuranin dhe Profetin Muhamed mbi domosdoshmërinë e fjalës së drejtë. Ai theksoi se këto parime marrin një rëndësi jetike sot.
“Në një kohë kur informacioni qarkullon me shpejtësi, kur lajmi i keq është lajm i mirë dhe kur çdo telefon është edhe një studio, edhe një redaksi, kjo këshillë bëhet edhe më e rëndësishme,” paralajmëroi Kreu i Shtetit.
Sipas tij, fjala sot nuk është thjesht komunikim, por një mjet i fuqishëm ndikimi që mund të ndërtojë besim, por edhe të krijojë përçarje apo të mbulojë të vërtetën me zhurmë artificiale.
Media si busull, jo thjesht pasqyrë
Një nga momentet më pikante të fjalës së tij ishte përcaktimi i rolit të medias në një shoqëri demokratike. Për të ilustruar peshën e këtij profesioni, Begaj përdori një metaforë të qartë për të kërkuar më shumë modesti dhe korrektësi nga raportuesit e lajmit.
“Në një shoqëri demokratike, media nuk duhet të jetë vetëm një pasqyrë që reflekton çdo dritë e hije, por një busull, një busull që orienton publikun drejt së vërtetës,” theksoi ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti shprehu mirënjohje të sinqertë për punën e përditshme të gazetarëve. Ai falënderoi përfaqësuesit e medias për sakrificat, orët e gjata në kërkim të lajmit dhe përpjekjet e tyre për të mbrojtur interesin publik. Darka u mbyll me urimin për një Shqipëri më të drejtë, të ndershme dhe të pastruar nga “energjitë helmuese e negative”.
Mashtrime me avio-bileta dhe pastrim parash mbi 2 milionë eu...
Real Madridi, PSG e Arsenal bëjnë hapin e madh drejt çerekfi...
Hamza: Heqja e masave ndaj Kosovës, vendim i vonuar por i mi...
Sportingu përmbysë Bodo/Glimtin dhe kalon në çerekfinale
Kusari-Lila: Kosova qëndron mirë me rezerva të derivateve
E rëndë: Mërgimtari nga Kosova humb jetën tragjikisht në Vje...