Begaj kërkon respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë dhe vend për Kosovën në OKB

07:31 | 25 Shtator 2025
E.H

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mbajti sot fjalën e tij në Debatin e Përgjithshëm të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në një moment të veçantë për Shqipërinë që shënon 70-vjetorin e anëtarësimit në OKB.

Kreu i Shtetit nënvizoi se ky përvjetor i Kombeve të Bashkuara është një kujtesë e vizionit për dialog e bashkëpunim mes kombeve dhe një mundësi për t’u angazhuar më fort në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe solidaritetit global.

“Ne duhet të zgjedhim bashkëpunimin mbi kundërshtitë, dialogun mbi ndarjen dhe solidaritetin mbi indiferencën,” u shpreh Presidenti Begaj, duke theksuar rolin e OKB-së si platformën globale për të adresuar përgjigjet ndaj sfidave të përbashkëta.
Në fjalën e tij, ai ndaloi tek krizat aktuale botërore, duke ritheksuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për sovranitetin e Ukrainës dhe dënimin e agresionit rus.

Njëherësh, Begaj konfirmoi qëndrimin e Shqipërisë që lufta në Gaza duhet të përfundojë, të gjithë pengjet duhet të lirohen dhe situata humanitare duhet të trajtohet me urgjencë. Në planin rajonal, ai theksoi rolin e Shqipërisë si promotor i dialogut, fqinjësisë së mirë dhe integrimit rajonal, duke theksuar se Ballkani Perëndimor duhet të mbetet një zonë paqeje dhe zhvillimi.

Presidenti theksoi se Kosova meriton vendin e saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Presidenti gjithashtu i kushtoi vëmendje më fjalën e tij kërkesës për respektimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.

“Megjithatë, vendi i Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht bosh. Njohja e pavarësisë se Kosovës, mbështetja për anëtarësimin e saj ne Kombet e Bashkuara dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare është një akt drejtësie ndaj popullit të Kosovës, është një hap që forcon edhe me shumë paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe një kontribut në stabilitetin e Evropës. Shqipëria kërkon që të drejtat e liritë e shqiptareve të Luginës së Preshevës të respektohen, që shqiptaret atje të mos diskriminohen por të integrohen, që gjuha shqipe të përdoret, kultura, vlerat, identiteti dhe traditat e tyre te mbrohen dhe promovohen”, tha Begaj.

Ai solli në vëmendje arritjet e Shqipërisë për përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, energjinë e pastër, transformimin digjital avancimin e barazisë gjinore dhe pëtfshirjen e të rinjve në agjendat zhvillimore të vendit.

“Shqipëria ka treguar se dialogu, partneriteti dhe vlerat e përbashkëta mund të transformojnë shoqëritë. Ne do të vazhdojmë të punojmë që fëmijët tanë të jetojnë në një botë më të sigurt, me dinjitet dhe në paqe,” përfundoi Presidenti Begaj, duke ftuar për unitet, përgjegjësi dhe guxim në përballimin e sfidave globale./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale