BDI prezanton masat për rimëkëmbje dhe ndihmë ekonomike

18:27 | 17 Maj 2020

Përfaqësuesit e Qeverisë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim sot prezantuan masat e miratuara për rimëkëmbje dhe ndihmë të ekonomisë në Maqedoninë Veriore.

Në një konferencë për media në selinë e BDI-së në Shkup, zëvendëskryeministri për Çështje evropiane Bujar Osmani theksoi se bëhet fjalë për pakon e tretë të masave, të cilat së bashku me dy të parat që janë në fazë të implementimit, paraqesin rrumbullakim të një plani më të gjerë për ballafaqim me sfidat ekonomike dhe sociale të pandemisë.

“Një pjesë e masave të pakos së tretë janë të drejtuara ndaj stimulimit të shpenzimit privat me fokus në ofertën vendore, siç janë kuponët për blerje të produkteve vendore – me çka njëkohësisht edhe do të zbuten sfidat sociale e edhe do të ndihmohen bizneset vendore. Së bashku me mbështetjen e likuiditetit të kompanive, por edhe me mbështetjen e bujqësisë, pakoja e tretë e masave është paraparë në një sasi të konsiderueshme ta amortizojë aktivitetin ekonomik dhe të mundësojë tranzicion më të lehtë të biznesit dhe të qytetarëve drejtë rimëkëmbjes ekonomike që pritet vitin e ardhshëm”, ka thënë Osmani.

Dy masa për të cilat është dakorduar, ka shtuar Osmani, janë edhe ndihma për mediat.

“Përveç punëtorëve shëndetësor si vija e parë e frontit për luftë ndaj pandemisë për të cilët kemi marrë vendim rritje të pagave për 20% për dy muaj për klinikat infektive dhe qendrat e shëndetit publik, edhe punëtorët mediatik ishin ata të cilët ishin në front për të dhënë informacionet e duhura dhe të sakta qytetarëve për t’u mbrojt nga pandemia, andaj për këtë qëllim propozuam që 50% të kontributeve për punëtorët mediatik të shkurtohen për tre muaj, kurse pjesa tjetër të riprogramohet të paguhet me këste nga shtatori”, tha zëvendëskryeministri Osmani.

 

Lajmet më të lexuara