Basha nga Kuvendi i PD-së: Zgjedhjet e 25 prillit u vodhën

23:07 | 17 Korrik 2021
A Z

Në vjeshtë demokratët pritet të rikthehen në Parlamentin e Shqipërisë pas më shumë se dy vjetëve mungesë.

Nga Kuvendi Kombëtar i PD-së, Lulzim Basha, foli për një platformë që opozita do ta dërgojë në Kuvend, e cila përfshin ndërhyrje të thella në Kushtetutë, reformë të re territoriale dhe zgjedhore.

“Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha grupet shoqërore. Që kërkojnë zgjedhje të lira, ndryshime kushtetuese dhe ligjore që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor”, tha Basha.

Pavarësisht se Partia Demokratike do e njohe produktin e zgjedhjeve, ajo do vijoje te mos njohe rezultatin e 25 Prillit.

“Masakra zgjedhore nuk është thjesht hileja e tij e radhës kundër shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, por është një krim që kërkon ndëshkim. Ne nuk e njohim atë, dhe autorët e saj duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi”.

Për humbjen e tretë radhazi Lulzim Basha nuk sheh asnjë përgjegjësi te vetja dhe as tek bashkëpunëtorët e tij, por vetëm tek kundërshtari polik.

“Kemi parë se si, bashkë me Tom Doshin, Edi Rama përdori një sigël politike si kamuflim për ortakun e tij në masakrën zgjedhore, duke e kthyer në një makineri votëblerëse”.

As në këtë Kuvend nuk mungoi mesazhi për kritiket sidomos për ata që u larguan për të krijuar parti të reja të djathta.

“Dora ime do të mbetet përherë e shtrirë nëse doni t’i bashkoheni aksionit tonë, dhe t’i ktheheni vlerave tona, por kurrë më nuk do të kthej faqen tjetër ndaj gjithë atyre që sakrificat e demokratëve i shpërdorojnë për inate personale apo përfitime të përkohshme”, tha Basha./tch/

Të ngjashme