Basha në Përrenjas: Rama hapi shampanjën për vete, ne do miratojmë statusin e minatorit

00:03 | 12 Prill 2021

Pas Librazhdit, ndalesa e radhës e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte në Përrenjas. Basha është pritur nga qindra mbështetës me brohoritje. Para tyre, kryedemokrati u shpreh se entuziazmi për ndryshim është kudo në vend. Basha premtoi para demokratëve të Përrenjasit statusin e minatorit.

Sipas tij 25 prilli është dita e qytetarëve që kanë në dorë politikanët. Basha u bëri thirrje të djathtëve dhe të majtëve që të shkojnë masivisht në kutitë e votimit dhe të votojnë për ndryshimin.

“Energjia e ndryshimit e ka pushtuar Përrenjasin. Siç e thotë dhe kënga e fushatës energjia për ndryshim mbarë Shqipërisë është e pandalshme. Ndryshimi ju e dini që po vjen për ju. Beteja e 25 prillit po bëhet për njerëzit e thjeshtë të këtij vendi.

Na la në vend numëro aty ku ishim 8 vite më parë. Premtoi hapjen e negociatave. 8 vite hapi shampanjën për vete dhe hapi dyert për emigracionin. 8 vite dështim dhe ja vjen të trokasë në derë dhe do edhe 4 vite të tjera. As 4 ditë, as 4 orë më shumë, më 25 prill vjen dita dhe ora për ndryshim.

Nuk është ditë e partive, por dita e popullit, kur ju i keni në dorë të gjithë politikanët. Do të vazhdojmë edhe katër vite si këto 8 vite apo do të votojmë për ndryshim. Minatorët shqiptarë do të kenë dinjitetin e plotë, statusin e minatorit. Sikundër bashkarisht me Europën dhe Amerikën do të hapin dyert e mbyllura të investimeve të huaja,për fermerët, studentët.

Ne do të bëjmë të mundur që vendi ynë të bëjë përpara. Më 25 prill të dalin pasivisht në kutitë e votimit. Të djathtë dhe të majtë, të gjithë bashkë për ndryshim. Ju do të votoni jo për partitë, por për veten tuaj. Votoni për Shqipërinë drejt Europës,” –  tha Basha.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara