Balla: Objektiv kryesor, ngritja e flamurit kuqezi në oborrin e BE deri më 28 nëntor 2030

14:41 | 16 Janar 2026
E.K

Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, deklaroi se objektivi kryesor i qeverisë mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, Balla theksoi se synimi i parë është mbyllja e negociatave në fund të vitit 2027 dhe anëtarësimi i plotë i vendit në BE deri më 28 nëntor 2030.

“E para, të mbyllim negociatat për anëtarësim në BE në fund të vitit 2027, të mundësojmë ratifikimin në 27 parlamentet e vendeve anëtare gjatë vitit 2028, dhe deri më 28 nëntor 2030 ta kemi ngritur flamurin kuqezi në oborrin e familjes së bashkuar europiane. Këto janë tre objektivat tona të qarta”, u shpreh Balla.

Ai shtoi se agjenda europiane e mazhorancës është e përditshme dhe se procesi kërkon angazhim maksimal për shkak të numrit të madh të ligjeve që lidhen me përafrimin e legjislacionit dhe përmbushjen e kushteve për anëtarësim.

“Edhe sot këtu edhe në ditët që do të vijnë, agjendën tonë europiane e numërojmë me ditë, besoj që do t’i bëjë edhe ata të tjerët, në atë pjesë që u ka mbetur në anën e djathtë të sallës së Kuvendit, të kuptojnë qartë se ne nuk kemi asnjë ditë për të humbur. Sot po përcaktojmë në këtë mbledhje të zgjeruar edhe kalendarin tonë politik në përmbushje të këtyre objektivave. Për shkak të numrit të madh të ligjeve që lidhen me procesin e përafrimit të legjislacionit, apo përmbushjen e kushteve për anëtarësim, duhet të jemi gati për ditë shumë të gjata pune”, deklaroi ai.

Duke iu referuar opozitës, kreu i grupit socialist tha se mazhoranca është e gatshme për bashkëpunim në çështje të rëndësishme, por theksoi se koha nuk duhet humbur.

“Ne jemi gati t’i dëgjojmë në respekt të atyre që i kanë zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë, po nuk do të jemi asnjëherë të gatshëm të presim qoftë dhe një ditë ata për të punuar sëbashku që këto dy reforma të ecin përpara. Nuk kemi asnjë ditë për të humbur Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ata për çështje të rëndësishme, për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, ndarje administrative-territoriale funksionale dhe gjithçka tjetër. Por ata duhet ta fiksojnë mirë në mendje: vëmendja jonë është te Pasaporta Europiane për çdo qytetar shqiptar, brenda kësaj dekade”, tha Balla./rtsh