Google ADS

Balla: Do të rrisim Sigurinë në Shkolla, ndryshimet do të kontribuojnë në parandalimin e kriminalitetit

11:20 | 24 Tetor 2023
K.B

Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Taulant Balla tha se do të forcojnë me ligj Paketën e Sigurisë në Shkolla.

Sipas Ballës kështu do të bëhet e mundur të bëhet ashpërsimi i dënimeve të parashikuara në Kodin penal.

“Të forcojmë me ligj Paketën Sigurisë në Shkolla duke bërë të mundur ashpërsimin e dënimeve të parashikuara në Kodin Penal për veprat penale që kryhen në mjediset e një institucioni arsimor apo në perimetrin e sigurisë së tij. Kryerja e një vepre penale në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij të parashikohet si rrethanë rënduese, nëse në dëm të një të mituri, dhe, në çdo rast, si rrethanë cilësuese e figurës së veprave penale të mëposhtme:

• Dhuna seksuale (neni 107/a);

• Pornografia (neni 117);

• Trafikimi i të miturve (neni 128/b);

• Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit (neni 278);

• Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta (neni 279);

• Prodhimi dhe shitja e narkotikëve (neni 283);

• Përshtatja e lokalit për përdorim droge (neni 285/a);

• Hedhja ose braktisja e shiringave (neni 285/b);

• Nxitja për përdorimin e drogës (neni 286);

• Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt (neni 291)”, shkruan Balla.

Ai thotë se këto ndryshime në Kodin Penal do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë.

“Jam i bindur se këto ndryshime në Kodin Penal do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë, parandalimin e kriminalitetit dhe shmangien e rrezikut për jetën dhe shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve tanë në të gjitha ato mjedise brenda dhe përreth shkollave të frekuentuara prej tyre”, shkruan Balla në Facebook./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale