Arrestohet në Fier 23‑vjeçari në kërkim ndërkombëtar, pjesë e organizatës kriminale në Itali

16:15 | 14 Janar 2026
E.G

Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier ka finalizuar operacionin e koduar “Gjurmimi”, duke kapur një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.

I arrestuari është E. F., 23 vjeç, i cili akuzohet nga Gjykata e Riminit, Itali, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Në vitin 2025, kjo gjykatë i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Operacioni u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes specialistëve të DVP Fier dhe partnerëve italianë, të cilët siguruan informacion mbi vendndodhjen e të riut. Si rezultat, ai u kap në qytetin e Fierit dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali.

Aktualisht vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për të përfunduar procedurat e ekstradimit të 23‑vjeçarit.

/rtsh.al/