Arrestohen dy zyrtarë të Bashkisë Kamëz

10:07 | 23 Janar 2021

U deshën 6 muaj hetime që dy zyrtarë të Bashkisë së Kamzës të përfundonin në pranga për korrupsion. Mësohet se dy Inspektorë të Mbrojtjes së Territorit në këtë institucion janë vënë në pranga pas hetimeve të SPAK-ut në bashkëpunim me Policinë e Tiranës.

Bëhet fjalë për një 47-vjeçar dhe një 36-vjeçar.

“Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, pas një pune hetimore 6-mujore, finalizoi operacionin policor të koduar “Supervizori”, për ekzekutimin e 2 masave të sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit:

D. N., 47 vjeç, me detyrë punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Kamzë;

E. B., 36 vjeç, me detyrë punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Kamzë”.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin përgjatë periudhës 6-mujore të hetimeve u kanë kërkuar dhe u kanë marrë para personave që konstatonin se kryenin ndërtime pa leje. Në këmbim, dy inspektorët premtonin mosndëshkimin me masa administrative sipas ligjit.

Policia njofton ndër të tjera, se po vijon punën për identifikimin edhe të personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari korruptive. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme hetimore./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara