Alarmi për Covid. A do të ketë karantinë dhe anulim zgjedhjesh?! Flet Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore

20:43 | 22 Shkurt 2021

Skënder Brataj, Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore ka folur “Top Talk” në lidhje me situatën e koronavirusit ndërsa shifrat e rasteve të reja janë në rritje.

“Çdo rritje e këtyre numrave është një sinjal alarmi, nuk diskutohet që të jemi të kujdesshëm dhe të jemi të gatshëm për çdo lloj skenar, sa më shumë të shtojë aq më afër limitit të mundësive shkojmë. Këto 2-3 ditë po monitorojmë dhe analizojmë situatën dhe do të shohim më në detaj gjendjen aktuale, masat dhe situatën aktuale, ka ardhur momenti i vaksinës që duhet të ecim e hapa më të shpejta, por është momenti i fundit i kësaj pandemie, i këtij problemi që kemi”, tha Brataj.

Brataj theksoi se kundër një karantine të plotë në të gjithë Shqipërinë sepse kjo do të ishte rëndë për ekonominë dhe për shqiptarët nga pikëpamja shëndetit mendor.

“Unë do t’i referohesha linjës që ndjekin tek gjithë vendet e tjera. Edhe masat më shtrënguese kanë dhënë rezultat pothuajse në të gjithë vendet. Nuk do të flisja për një karantinë pasi është e papranueshme në këtë moment, në këtë situatë dhe një vit pas epidemisë për një mbyllje totale sepse edhe shëndeti mendor dhe ekonomia e të gjithë sektorët e tjerë janë në një limit të ekuilibrit që mund të jetë subjekt i çdo shpërthimi apo interpretimi.

Personalisht do të isha për shtrëngim masash, kufizimi i disa aktiviteteve, i orareve më shumë si të gjithë Europa deri në orën 6 pasdite. Mendoj që baret e restorantet janë nga burimet më të mëdha dhe po të ishte për mua, do të kisha një kufizim më të madh. Për mbyllje totale nuk do të flisja”, tha Brataj.

Sa i përket mundësisë së anulimit të zgjedhjeve, Brataj u shpreh: “Procesi zgjedhor është një gjë që është bërë në shumë vende të botës dhe pamë që në nëntor kur ishte kulmi i valës së dytë, u bë dhe në SHBA kështu që do të këshilloja që t’i përmbaheshin rregullave.”

Lajmet më të lexuara