Pastronin paratë e drogës nga Zvicra në Shqipëri, 3 të arrestuar. SPAK: Transferuan miliona euro përmes sistemit “Hawala”

12:59 | 20 Korrik 2025
E.G

Prokuroria e Posaçme ka goditur një rrjet kriminal që përdorte sistemin informal të transfertave të parave që vinin si rezultat i trafikut të drogës, për të transferuar shuma të mëdha parash nga Zvicra në Shqipëri. Në pranga ranë tre persona, E.F, B.F dhe P.K, mes të cilëve edhe drejtuesi këtij aktiviteti kriminal, i cili u arrestua në Zvicër.

Hetimet e kryera nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet zvicerane kanë zbuluar se ky grup kriminal ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave të fituara nga ky aktivitet, para që më pas i transferonin në vendin tonë përmes sistemit “Hawala”.

Sipas SPAK grupi ka transferuar miliona euro gjatë periudhës 2020-2025 nga Zvicra në Shqipëri, duke fituar një komision prej 6% për çdo transaksion. Përveç pastrimit të parave, grupi është i përfshirë edhe në trafikimin e drogës në disa zona të Zvicrës dhe Shqipërisë.

Po si funksionon sistemi “Hawala”? Ky sistem është një formë e transferimit të parave që nuk kërkon transportimin fizik të shumave, duke mundësuar transferime të shpejta dhe të padukshme. Personat që dërgonin paratë në Zvicër informonin bashkëpunëtorët për emrin e personit që do të merrte paratë në Shqipëri. Ky grup kriminal ka përdorur zyra këmbimi valutor, agjenci turistike dhe zyra të transferimit të parave për të maskuar aktivitetet e tij kriminale, duke e bërë shumë të vështirë për hetuesit të gjurmojnë transferimet dhe burimin e parave.

“Bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër menjëherë sapo kryhej depozitimi i parave njoftonin bashkëpunëtorët e tyre në Tiranë, personin nën hetim E.F, i cili është edhe drejtuesi i këtij grupi kriminal, për shumën e depozituar të parave dhe emrin e personit i cili ishte pritësi i parave në Tiranë. Më pas, personi nën hetim E.F, në bashkëpunim me personat nën hetim B.F dhe P.K, dorëzonin sasinë e njëjtë të parave që ishte depozituar te bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër, tek personat që ishin pritësit e shumave në Tiranë. Në këtë mënyrë mundësohej transferimi i parave në një kohë shumë të shpejtë, pa qenë e nevojshme që të kryhej transportimi i menjëhershëm fizik i parave nga Zvicra në Shqipëri, si dhe njëkohësisht bëhej e pamundur për kapjen nga agjencitë e zbatimit të ligjit.

Qëllimi i kësaj veprimtarie nga grupi i strukturuar kriminal ka qenë realizimi i fitimeve, ku vlera e përfitimit monetare që përfitohej nga personat nën hetim ishte 6% e shumës së parave që transferohej, që ndahej më pas në mënyrë të barabartë mes personit nën hetim E.F dhe bashkëpunëtorëve në Zvicër”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Gjykata e Posaçme ka vendosur “arrest me burg” për tre personat me akuzat e prodhimit dhe shitjes së drogës, pastrimit të parave dhe organizimit të grupit të strukturuar kriminal. Dy nga ata janë arrestuar në Shqipëri, ndërsa një tjetër është kapur në Zvicër. Hetimet vazhdojnë për të zbuluar më shumë detaje apo të përfshirë të tjerë në këtë aktivitet kriminal.

/rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme