289 leje ndërtimi në tremujorin e tretë në Shqipëri, 72% u dhanë në Tiranë

23:30 | 27 Nëntor 2025
E.H

Në periudhën korrik-shtator, janë miratuar 289 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, duke treguar se sektori vazhdon të mbetet një nga motorët kryesorë të ekonomisë shqiptare.

Nga këto leje, 231 i përkasin ndërtimeve për banim, të cilat përbëjnë afro katër të pestat e totalit. Sipërfaqja e planifikuar për ndërtesat rezidenciale arrin në 273 mijem², duke përfshirë projekte të llojeve të ndryshme, nga shtëpitë njëkatëshe, deri te ndërtesat me shumë kate dhe rezidencat e komunitetit, shkruan euronews.al.

Ndërtesat jo-rezidente përbëjnë një segment më të vogël, me 58 leje dhe një sipërfaqe totale prej 77 mije m². Në këtë grup, ndërtimet industriale janë ato që zënë peshën kryesore, duke treguar një aktivitet të shtuar në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese në disa zona të vendit.

Sipas qarqeve, Tirana zë vendin e parë, me 93 leje ndërtimi të miratuara dhe me 72% të gjithë sipërfaqes së miratuar në rang vendi. Ky përqendrim i lartë pasqyron jo vetëm ritmin e lartë të urbanizimit në kryeqytet, por edhe orientimin e investimeve drejt zonave me kërkesën më të lartë për banesa dhe infrastruktura mbështetëse. Tirana vijon të tërheqë projekte të mëdha rezidenciale, sidomos ndërtime shumëkatëshe dhe komplekse komunitare.

Vlera e përgjithshme e projekteve ndërtimore – përfshirë ndërtesat dhe punimet inxhinierike – është 15,9 miliardë lekë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme