Kënga “Dai Dai” nga Shakira bëhet himni zyrtar i Kupës së Botës 2026

22:43 | 7 Maj 2026
E.G

Këngëtarja kolumbiane Shakira ka bërë të ditur se kënga e saj e re “Dai Dai” do të jetë kënga zyrtare e Kupës së Botës 2026, që do të mbahet në qershor dhe korrik në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.

Artistja e ka njoftuar lajmin këtë të enjte përmes një videoje të shkurtër në rrjete sociale, ndërsa kënga pritet të publikohet më 14 maj.

Kjo është hera e tretë që Shakira lidhet me muzikën e Botërorit, pas suksesit me “Waka Waka (This Is Africa)” në Botërorin e Afrikës së Jugut 2010 dhe “La La La” në Botërorin e Brazilit 2014.

Në videon e publikuar, e xhiruar në stadiumin Maracana në Rio de Janeiro, Shakira shfaqet e veshur me bluzë të verdhë dhe pantallona të shkurtra blu, e shoqëruar nga disa kërcimtare dhe me topa futbolli pranë, teksa interpreton pjesë nga “Dai Dai”.

Titulli i këngës, sipas shpjegimit, në italisht nënkupton “hajde, hajde/ejani”, megjithëse Italia nuk do të jetë pjesë e turneut.

Shakira është shprehur e entuziazmuar për rikthimin e saj në një nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë, ndërsa publikimi i këngës më 14 maj pritet të shënojë nisjen e fushatës muzikore të FIFA-s për turneun.

Organizatorët synojnë që himni zyrtar të shërbejë si simbol i edicionit të radhës, duke shoqëruar momentet kryesore të kompeticionit, nga ceremonitë hapëse deri te festimet e tifozëve në stadiume dhe “fan zone”.

Shpërndaje në rrjete sociale