Katër anëtarë të BTS përfundojnë shërbimin ushtarak javën e ardhshme – fansat presin rikthimin e grupit në skenë

15:38 | 7 Qershor 2025
E.G

Katër anëtarë të grupit të njohur korean BTS do ta përfundojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak javën e ardhshme, duke nxitur shpresat e miliona fansave për rikthimin e bandës ikonike K-pop në skenë.

Sipas agjencisë koreano-jugore të lajmeve Yonhap, anëtarët RM dhe V pritet të lirohen nga shërbimi të martën, ndërsa Jimin dhe Jungkook do të përfundojnë shërbimin të mërkurën.

Agjencia njofton gjithashtu se për arsye sigurie, nuk është planifikuar ndonjë pritje zyrtare për lirimin e tyre.

Në Korenë e Jugut, shërbimi ushtarak është i detyrueshëm për të gjithë meshkujt fizikisht të aftë, dhe zakonisht zgjat nga 18 deri në 21 muaj. Ky detyrim ka shtyrë për një kohë të konsiderueshme ribashkimin e plotë të grupit me shtatë anëtarë.

Anëtarët e BTS janë aktualisht në fund të të njëzetave apo në fillim të të tridhjetave. Dy prej tyre e kanë përfunduar tashmë shërbimin ushtarak. Ndërkohë, Suga, një nga reperët e grupit, është duke përfunduar shërbimin civil dhe pritet të lirohet më 21 qershor.

Rikthimi i plotë i BTS në skenën botërore është një nga momentet më të shumëpritura nga fansat e tyre në mbarë globin. /Telegrafi/