Ende jashtë funksionit sistemi informativ shëndetësor

21:52 | 19 Prill 2015
M. A.

Me vite të tëra po punohet për të funksionalizuar sistemin informativ shëndetësor, i cili do të kontribuonte në lehtësimin e punës së punëtorëve shëndetësorë dhe qasjen e pacientëve nëpër institucione shëndetësore.

Janë rreth 5 mijë punëtorë shëndetësorë, të cilët për 6 muaj do të trajnohen të përdorin këtë sistem, raporton KTV.

Albert Sutaj, shef i Divizionit të qendrës operative në Ministrinë e Shëndetësisë, tregon se ky projekt do të implementohet së pari në QKUK, në Komunën e Prishtinës dhe të Prizrenit, derisa e konsideron si shumë të rëndësishëm.

Por ekspertë të shëndetësisë këtë projekt, për të cilin ministria u ndihmua nga qeveria e Luksemburgut me mijëra euro, e shohin si shumë të vonuar.

Në realizimin e këtij projekti nacional, përveç Ministrisë së Shëndetësisë është e përfshirë edhe Ministria e Administratës Publike dhe Agjencia për regjistrimin civil, përcjell koha.net. Përmes këtij sistemi pritet të përmirësohet efikasiteti i shërbimeve shëndetësore, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor.

Shpërndaje në rrjete sociale