Zbardhet raporti holandez, arsyet pse kërkohet rikthimi i vizave për shqiptarët

19:12 | 21 Gusht 2017
Arbresh.info

Raporti i plotë i organeve të sigurisë së Mbretërisë së Holandës, është publikuar sot dhe në të përfshihen edhe një sërë shkaqesh të tjera që nxisin këtë vend të kërkojë rikthimin e vizave për shtetasit shqiptarë.

Në raport, pasi evidentohet fakti sipas Amsterdamit zyrtar, se shtimi i bandave kriminale shqiptare mbetet kërcënim për shoqërinë holandeze, vlerësohet më te se ka disa gjëra që e bëjnë shqiptarin të padëshirueshëm për të hyrë pa viza në Holandë.

Mes arsyeve renditet si shumë i rëndësishëm, fakti se shqiptarët arrijnë jo vetëm të falsifikojnë lehtësisht mjetet e identifikimit, por edhe t’i ndryshojnë ligjërisht ato.

“Në Shqipëri është relativisht e lehtë të ndryshosh emrin dhe mbiemrin, gjë që është bërë nga rreth 700.000 shtetas në Shqipëri”, – pretendohet në raport, një shifër kjo që zor se mund të jetë e besueshme, pasi një gjë e tillë do të thotë se më shumë se një në tre shqiptarë të ketë ndryshuar emrin ose mbiemrin apo të dyja bashkë.

Sipas raportit, përveç ndryshimit të emrit që mund të bëhet në mënyrë të ligjshme në Shqipëri, ka dhe raste ku një person ka mundur të ndryshojë dhe atësinë dhe datëlindjen e tij në pasaportë, diçka që në asnjë vend tjetër nuk do të ishte e mundur.

Më tej në raport thuhet se “kriminelët shqiptarë shikohen si një kërcënim serioz për shoqërinë Holandeze pasi janë të implikuar në trafikimin dhe shitjen e kokainës dhe kanabisit, trafikimin njerëzor dhe pastrim parash”.

Më tej theksohet se “roli i kriminelëve shqiptarë po forcohet, dhe ka marrë një rol prominent në Holandë”.

“Ka një mbiprani të madhe të shqiptarëve në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave”, – thuhet në raport.

Kurse shtohet: “Një tjetër problem janë klandestinët shqiptarë, të cilët përdorin portet holandeze për të ikur ilegalisht në Angli”.

Policia Holandeze, thotë se për momentin trafikantët e drogës dhe ata njerëzorë që përbëhen kryesisht nga shtetas shqiptarë, të cilët për ta, janë destinuar si rreziku më i serioz për rendin publik në Holandë.

Sipas Policisë, në vitet e fundit të paktën 5800 persona janë regjistruar në sistemin policor në lidhje me veprat penalë të kryera në territorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Shqiptarët janë të implikuar kryesisht në trafikun e drogës, trafikimin njerëzore si dhe pastrimin e parave.

Raporti vlerëson se pas liberalizimit të vizave, puna e kriminelëve shqiptarë në Holandë është lehtësuar.

Në raport përshkruhet se nga vëzhgimet e Policisë së Amsterdamit, shumë rrallë shihen shtetas shqiptarë që qëndrojnë si turistë në Holandë ashtu siç deklarojnë kur hyjnë në doganat e këtij vendi. “Pothuajse të gjithë shqiptarët që qëndrojnë në Holandë janë për shkak të pjesëmarrjes në veprimtari kriminale”, – pretendohet në raportin që “nxin” së tepërmi imazhin e shqiptarëve.

Nisur nga këto shkaqe, autoritetet holandeze, e konkretisht Policia në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë këshilluar Qeverinë për të pezulluar lëvizjen e lirë me Shqipërinë.

Autoritetet thonë se rritja e kriminalitetit në radhët e shqiptarëve ka ardhur pikërisht pas vitit 2010 që u hoqën vizat gjashtëmujore për shqiptarët dhe ndaj sugjeron se “Qeveria e këtij vendi për këtë arsye duhet të marrë masa konkrete dhe të menjëhershme për të mos lejuar që krimi shqiptar të forcohet dhe stabilizohet strukturalisht në Holandë”. Ndaj autoritetet e sigurisë, i janë drejtuar Qeverisë holandeze me kërkesën që të pezullojë lëvizjen e lirë për shtetasit shqiptarë në këtë vend ose në tërësi, në zonën Schengen.