Kuvendi i Maqedonisë i rikthehet procedurës për shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm, Marko Zvërlevski, por seanca ka filluar me përplasje të ashpra mes opozitës dhe kreut të Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili kishte ftuar sigurimin të largojë nga foltorja deputetin Antonio Milloshoski, meqë pa lejen e Xhaferit, ai kishte tentuar ta merrte fjalën.
Me këtë rast, i gjithë grupi parlamentar ka dalë në foltore për të pamundësuar largimin e Milloshoskit nga ana e sigurimit. Incidenti është evituar me ndërprerjen për 10 minuta të seancës nga ana e kryeparlamentarit. Nisma është ndërmarrë nga Qeveria me arsyetimin se kreu i organit të akuzës ka punuar në mënyrë joligjore dhe joprofesionale, duke ndërhyrë në mënyrë brutale në punën e gjyqësorit për qëllime politike dhe të grupeve të caktuara të interesit.Por, procedura po kontestohet nga VMRO-DPMNE-ja opozitare e cila edhe e kishte emëruar Zvërlevskin në postin e prokurorit të përgjithshëm.
Nga partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevskit thonë se nisma për largimin e tij nga detyra është për motive politike, por gjithashtu edhe në kundërshtim me kodin zgjedhor, pasi dispozitat e tij, sipas VMRO-së nuk lejojnë shkarkime dhe emërime të funksionarëve pas ditës së shpallës së zgjedhjeve, siç është rasti me zgjedhjet lokale, që janë dekretuar të dielën nga kreu i Kuvendit.
“Kodi zgjedhor i Maqedonisë rregullon qartë periudhën që nga shpallja e zgjedhjeve e deri në momentin e mbajtjes së tyre. Në kodin zgjedhor ekziston neni 8a, në të cilin thuhet se që nga dita e shpalljes së vendimin për zgjedhje e deri në mbajtjen e tyre, nuk mundet që të nisin procedura për punësim të personave apo për shkarkimin e tyre në institucione shtetërore apo publike. Të gjitha procedurat e nisura sipas ligjit pezullohen deri në mbajtjen e zgjedhjeve, vetëm në rastet urgjente apo që nuk mundet të prolongohen”, ka deklaruar Ilija Dimovski nga VMRO-DPEMNE.
VMRO-ja i është drejtuar komisionit antikorrupsion për të dalë me sqarime nëse veprimi i partive në pushtet është në kundërshtim me ligjin.Por nga LSDM-ja thonë se qëllimi i VMRO-së nuk është që të mbrojë ligjin, të cilin,sipas partisë së kryeministrit Zoran Zaev, VMRO-ja e ka shkelur në 11 vitet e qeverisjes me vendin.
Deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov thotë se VMRO-ja me këto pengesa tenton të mbrojë krimin që ka prekur të gjitha institucionet, e më së shumti atë gjyqësor.
“Kodi zgjedhor ka të bëjë me organet e pushtetit ekzekutiv dhe jo me Kuvendin dhe organet ligjvënëse. Çdo kërkesë e tillë, që do ta quaja nebuloze, nuk është asgjë tjetër përveç se përpjekje e udhëheqësisë së VMRO-DPMNE-së për zvarritjen e procedurës për shkarkimin e Zërlevskit apo ikje nga vjeshta e nxehtë e cila i pret për krimin e organizuar para organeve gjyqësore”, thotë Shilegov.
Prokurori aktual, Marko Zvërlevski është një nga personalitetet më të përfolura që nga emërimi i tij në këtë post, e në veçanti gjatë krizës së rëndë politike.Ai ishte një nga protagonistët kryesor të aferës së përgjimeve, pasi në bisedat e publikuara nga opozita, në shumë raste është dëgjuara duke biseduar me zyrtarë të lartë në kurdisjen e proceseve gjyqësore apo në emërimin e njerëzve partiakë në pozita drejtuese në gjyqësor. Me kërkesë të tij janë ndërprerë apo nuk kanë nisur procedura hetimore për disa raste të denoncuar nga opozita e atëhershme.Gjyqësori është një nga pikat të kritikuara andaj edhe kërkesa kryesore e Bashkimit Evropian është për reforma rrënjësore në këtë sferë. /REL/
Njësia Speciale “zbarkon” në Skenderaj
Hashim Thaçi me mesazh për politikanët: Egoja në politikë të...
Zyrtare: Carlo Ancelotti në krye të Brazilit deri në vitin 2...
Amerikanët kapën tre ton kokainë me vlerë rreth 40 milionë e...
Hashim Thaçi rrëfen takimin emocional me Adem Demaçin para p...
Hashim Thaçi nga paraburgimi: Kosova më pro-amerikane në bot...