Shtetet e Ballkanit koordinohen për migrantët

12:53 | 23 Prill 2016
M. A.

Ministrat e Jashtëm të Greqisë, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë janë zotuar për përmirësimin e koordinimit për trajtimin e migrantëve në “Rrugën e Ballkanit” drejt Evropës Perëndimore.

Ministri i jashtëm i Maqedonisë, Nikola Poposki, pas dy dite bisedimesh në Greqi, tha se do të provojnë t’i shmangin zgjedhjet që janë në kurriz të vetëm një shteti. Ndërsa, Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, tha se një mekanizëm i koordinimit do të ngritët dhe funksionojë brenda gjashtë muajsh.

Gjatë bisedimeve të kësaj jave, katër vendet fqinje u pajtuan se ato duhet t’u përgjigjen grupeve në nevojë të migrantëve, si dhe të punojnë më ngushtë në luftën kundër trafikimit njerëzor.

Më shumë se një milionë migrantë në vitin 2015 kishin arritur në Greqi, të ndihmuar nga trafikantët, për të vazhduar pastaj rrugën e tyre drejt shteteve perëndimore të Bashkimit Evropian.

Pas mbylljes së kësaj rruge këtë vit, mijëra migrantë kishin mbetur të ngujuar në qytetin grek Idomeni, në kushte të vështira.

Shpërndaje në rrjete sociale