Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Malin e Zi ka shpallur të hënën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 30 gushtit.
Në bazë të rezultateve, Partia Demokratike e Socialistëve, e presidentit Millo Gjukanoviq, ka fituar 30 vende në përbërjen e re të parlamentit, koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, 27 deputetë, koalicioni, “Paqja është kombi ynë”- 10 dhe koalicioni “E zeza në të bardhë” katër vende.
Partia Boshnjake dhe Social-Demokratët fituan nga tri vende secila, Partia Socialdemokrate dy, dhe nga një vend në parlament e kanë fituar: Lista Shqiptare “Nik Gjeloshaj-Genci Nimanbegu” dhe koalicioni “Bashkë një za”.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, brenda 15 ditëve, kryetari i përbërjes së vjetër të parlamentit, Ivan Brajoviq, thërret seancën e parë të përbërjes së re të Parlamentit të Malit të Zi, shkruan rel.
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, propozon emrin e kryeministrit të ri në afat prej 30 ditësh që nga konstituimi i parlamentit.
Zgjedhjet në Mal të Zi u mbajtën më 30 gusht. Për herë të parë pas tri dekadash, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq ka humbur shumicën në parlament.
Zgjedhjet u fituan nga partitë opozitare që konsiderohen si pro-serbe dhe pro-ruse.
Mali i Zi, përndryshe, konsiderohet lider në procesin e integrimit evropian. Ai ka qenë vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që ka nisur negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian, në qershor të vitit 2012.
Liderët e tri subjekteve politike të koalicionit opozitar, të cilat e kanë fituar shumicën në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, në një konferencë për media më 9 shtator kanë prezantuar parimet mbi të cilat do të mbështetet qeveria e ardhshme dhe të cilat nënkuptojnë bashkëpunimin me aleancën e NATO-s, mosvënien në diskutim të njohjes së Kosovës dhe që përjashtojnë mundësinë e ndryshimit të simboleve shtetërore të Malit të Zi.
Parimet e marrëveshjes u shpallën nga liderët e koalicionit “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë” dhe “E zeza mbi të bardhë” e Zdravko Krivokapiqit, Aleksa Beçiqit dhe Dritan Avazoviqit.
Tribunal Special për t’i gjykuar liderët rusë për krimet në ...
Macja juaj bën këto gjëra çdo ditë? Ja pse nuk janë aspak të...
Momente tensioni mes Emery dhe Tielemans – trajneri e ...
Aksident tragjik në Itali, humb jetën 20-vjeçari shqiptar
Serwer dyshues i madh për Bordin e Paqes: E kuptoj dëshirën ...
Dinamo Zagreb shënon fitore bindëse ndaj FSCB, protagonist e...