Serbia strehon terroristë; Interpol kërkon Nemanja Ristiçin, ai feston në Beograd

18:29 | 7 Janar 2017
Trina Galanxhi

Derisa në rastin e Ramush Haradinajt, Serbia promovon shtetin ligjor dhe detyrimet e Interpolit, pikërisht për këto detyrime ajo i bën karshillëk si shtetit ligjor ashtu edhe Interpolit.

Për të dëshmuar këtë paligjshmëri dhe keqpërdorim insitucional ndërkombëtar, shteti serb e ndihmon të kërkuarin për terrorizëm ndërkombëtar, Nemanja Ristiç.

43-vjeçari nga Beogradi, në profilin e tij në FB ka publikuar disa foto të mbrëmjes së 6 janarit duke festuar natën e Krishtlindjeve ortodokse para Manastirit të “Tri duarve” në Avala të kryeqytetit serb.

Por kush është Nemanja Ristiç?! Aktualisht për Nemanja Ristiçin është lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar i Interpolit, i akuzuar si njëri ndër organizatorët e përgatitjes së veprimtarive terroriste për ditën e zgjedhjeve parlamentare, më 16 tetor të vitit 2016 në Mal të Zi.

Prokuroria Speciale e Malit të Zi në urdhrin për thellimin e hetimeve për përgatitjen e veprimtarive terroriste më 16 tetor të vitit 2016 në Podgoricë, thekson se Ristiç ishte ngarkuar që të rekrutojë njerëz për organizimin e grupit kriminal, duke i urdhëruar që në ditën e zgjedhjeve parlamentare të vijnë në Mal të Zi dhe marrin pjesë në protestat e Frontit Demokratik të opozitës:

“Dhe, pas përfundimit të zgjedhjeve së bashku me liderët politik të Frontit Demokratik që do të mbledhen në miting, të nxisin konflikt me zyrtarët e Drejtorisë së Policisë së Podgoricës dhe me dhunë të futen në Parlamentin e Malit të Zi, për të qëndruar atje të paktën 48 orë duke shpallur edhe fitoren e Frontit Demokratik opozitar,” shkruan në urdhër-arrestin e kuq ndërkombëtar të Interpolit ku saktësohet se Nemanja Ristiç kërkohet në bazë të urdhëit për hetim nga drejtësia e Malit të Zi ndërsa përfundon:

“Nëse keni çfarëdo lloj informacioni, ju lutem kontaktoni policinë kombëtare ose Sekretariatin e Përgjithshëm të Interpolit.”

Shpërndaje në rrjete sociale