Serbia refuzon vendimin për ndalimin e Dodikut, Vuçiq: Nuk do ta arrestojmë nëse është në territorin tonë

15:45 | 2 Gusht 2025
E.K

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbia nuk do të njohë vendimin që ndalon presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik, të ushtrojë funksione publike për gjashtë vjet. Këto deklarata u bënë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, ku u diskutuan situatat në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Në konferencën për shtyp, Vuçiç e cilësoi vendimin kundër Dodikut si politik, jodemokratik dhe kërcënim për sigurinë rajonale. “Serbia nuk e njeh këtë vendim, dhe ky qëndrim është i detyrueshëm për të gjitha institucionet e Republikës së Serbisë,” tha ai.

Ai shtoi se vendimi i përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, për të ndaluar aktivitetin politik të Dodikut, është “anulim i vullnetit të qytetarëve të Republikës Srpska”, të cilët e kanë zgjedhur atë si përfaqësues legjitim.

Vuçiç bëri të ditur se kishte biseduar me dy liderë botërorë për situatën dhe theksoi se Serbia do të veprojë si një shtet sovran. Ai përshkroi gjendjen aktuale si më të vështirën për Serbinë që nga viti 2008.

Duke iu përgjigjur pyetjeve për një arrest potencial të Dodikut në Serbi, Vuçiç u shpreh: “Nëse lëshohet urdhër arresti për Milorad Dodikun kur ai ndodhet në Serbi, Serbia nuk do ta arrestojë. Ai është gjithmonë i mirëpritur këtu,” transmeton Danas.

Gjithashtu, ai akuzoi struktura të brendshme dhe agjenci të huaja për një plan të mirëpërgatitur për të neutralizuar ndikimin politik të Dodikut dhe për të shtyrë zbatimin e vendimit deri në një moment më të favorshëm.

Vuçiç përfundoi duke theksuar se Serbia do të vazhdojë të mbrojë integritetin e saj dhe të mbështesë përfaqësuesit legjitimë të serbëve në rajon.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme