Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca mbështet sovranitetin dhe integritetin e Bosnje e Hercegovinës, duke theksuar se nuk do të lejojë që paqja “e fituar me mund” në këtë shtet të vihet në rrezik.
Në një konferencë për media në Sarajevë, pas takimit me anëtarët e Presidencës trepalëshe, Rutte tha se situata aktuale nuk është sikur më 1992, kur nisi lufta në Bosnje.
Vizita e Ruttes u zhvillua në kohën kur autoritetet e Republikës Sërpska, duke kërcënuar me shkëputje, kanë tentuar të ndalojnë funksionimin e institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe policisë në territorin e këtij entiteti.
“Kam dëgjuar shqetësime për situatën e sigurisë. Le të jemi të qartë, kjo situatë nuk është si më 1992 dhe ne nuk do të lejojmë që të krijohet një vakum i sigurisë. Komuniteti ndërkombëtar është këtu dhe është i angazhuar për të vazhduar mbështetjen tonë të fuqishme, përfshirë përmes EUROF-it”, tha Rutte.
Rutte tha se NATO-ja mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, që tha se është thelbi i paqes në Bosnje.
“Retorika nxitëse dhe veprimet janë të rrezikshme. Ato paraqesin një kërcënim të madh për stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës dhe të sigurisë”, tha Rutte.
Ai tha se çdo veprim që e minon Dejtonin, rendin kushtetues dhe institucionet shtetërore, por edhe retorika nxitëse, “janë të papranueshme”.
Rutte tha se këtë situatë duhet ta zgjidhin vetë udhëheqësit e Bosnjës, duke iu drejtuar anëtarëve të Presidencës trepalëshe, teksa theksoi se nga “i gjithë rajoni do të përfitojë nga pajtimi dhe paqja e qëndrueshme në Bosnje”.
Shefi i NATO-s nisi vizitën në Bosnje është me anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës – Zhelka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Zhelko Komshiq./REL
Kosova ngritet për një pozitë në ranglistën e FIFA-s
Kryetarja Haxhiu bëri homazhe në Lubeniq të Pejës
Yamal reagon ndaj racizmit: Jam edhe unë mysliman
Nis verifikimi i njëhsorëve elektrikë, disa që kishin mospër...
Trump: SHBA-të do të largohen nga Irani shumë shpejt
Po kërkohej përmes Interpolit, ekstradohet nga Zvicra në Kos...