Protestuesit në Serbi kërkojnë me ngulm zgjedhje të parakohshme

21:14 | 10 Gusht 2025
E.G

Në rrugët e Beogradit protesta nuk është më lajm, është bërë përditshmëri. Qytetarë e studentë, profesorë e pensionistë, çdo ditë kërkojnë ndryshime politike, drejtësi dhe përgjegjësi.

Shkak për tubimin më të fundit në Beograd ishte kujtimi i tragjedisë në Novi Sad, kur nga shembja e një strehe në stacionin hekurudhor humbën jetën 16 persona. Pjesëmarrësit e shohin këtë fatkeqësi si pasojë të korrupsionit sistematik, pafuqisë institucionale dhe ndikimit politik. Ecjet paqësore dhe bllokadat janë shndërruar në formë të rezistencës qytetare.

“Kam bërë një pankartë me mesazhin se një ditë, si popull, do ta shkatërrojmë korrupsionin në këtë vend”, tha nje studente.

“Pres të ndodhë drejtësia dhe secili të marrë atë që i takon. Vetëm ligji, kjo na duhet, dhe gjithçka do të jetë në rregull”, tha një student tjetër.

Anembanë Serbisë organizohen protesta, duke kërkuar shpërndarjen e Parlamentit, zgjedhje të parakohshme dhe lirimin e protestuesve të arrestuar. Qytetarët thonë se luftojnë për një vend ku fëmijët e tyre do të duan të jetojnë.

“Presim shpalljen e zgjedhjeve dhe të shohim më në fund largimin e këtij regjimi. Kjo është e gjitha. Askush nuk e duron më këtë gjendje”, tha një qytetare.

“Unë personalisht pres që ky regjim të bjerë, duhej të kishte rënë para gjashtë muajsh, por as tani nuk është vonë”, tha një qytetar.

“Duam zgjedhje kjo është kryesorja. Pastaj, të dënohen të gjithë ata që kanë përgjegjësi për tragjedin ne Novi Sad, të ketë drejtësi, të plotësohen kërkesat e studentëve dhe të lirohen të gjithë studentët e burgosur”, tha një qytetare tjetër.

Prej muajsh, atmosfera në Serbi është e tensionuar. Pavarësisht represionit, arrestimeve dhe përpjekjeve për frikësim, qytetarët mbeten të vendosur. Ata thonë se ndryshimet nuk vijnë brenda natës, prandaj mbeten në rrugë, sepse sipas tyre, beteja për drejtësi është e përditshme dhe e përbashkët./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme