Protestë studentore në Beograd kundër shkeljeve kushtetuese

19:25 | 12 Janar 2025
D.H

Me ftesë të studentëve të Universitetit të Beogradit, të angazhuar në bllokadë, sot para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese në Beograd u mbajt një protestë me sloganin: “Është e rëndësishme të kesh qëndrim!” (Është e rëndësishme të kesh Kushtetutën).

Në tubimin ku morën pjesë studentë, qytetarë, përfaqësues të opozitës dhe personalitete publike, u theksuan shkeljet serioze të Kushtetutës së Serbisë, të cilat, sipas organizatorëve, rrezikojnë të drejtat themelore të të gjithë qytetarëve.

Protesta nisi me leximin e emrave të 15 viktimave që humbën jetën në Novi Sad, pas rënies së mbulesës së stacionit të rinovuar të trenit më 1 nëntor. Më pas, u mbajt një minutë heshtje 15-minutëshe në nder të tyre. Studentët prezantuan shembuj konkretë të shkeljeve kushtetuese, duke theksuar se Kushtetuta e Serbisë është dokumenti themelor që duhet të mbrojë të drejtat e qytetarëve. Ata akuzuan qeverinë për cenimin e të drejtës për tubim paqësor, mbrojtjen e të dhënave personale, lirinë e shprehjes dhe ndalimin e diskriminimit.

Me pankarta si „Duart i keni të përgjakura“ dhe „Studentët nuk heshtin“, si dhe me brohoritje kundër pushtetit, pjesëmarrësit ndriçuan në mënyrë kreative problemet e mosrespektimit të ligjit dhe pasojat për shoqërinë.

Gjatë protestës, përveç flamujve të Serbisë, disa persona mbanin edhe flamuj me simbolin e Republikës Srpska dhe pankarta me mbishkrimin “Jo dorëzim për Kosovën”. Askush nuk ka mundur të tregojë kush ishin këta persona.

Organizatorët më herët thanë se protesta është një iniciativë studentore jopartiake. Pas përfundimit të protestës, studentët u kthyen në fakultetet e tyre, ku do të vazhdojnë me bllokadat. Paralelisht, protesta të ngjashme u mbajtën edhe në Nish. Tubimi përfaqëson pjesë të një proteste më të gjerë që ka nisur në fund të nëntorit, me kërkesa për ndjekjen penale të përgjegjësve për tragjedinë në Novi Sad, publikimin e dokumentacionit mbi renovimin e stacionit dhe ndalimin e presioneve ndaj studentëve. Në një tubim të mbajtur të shtunën në Novi Sad, para zyrave të BIA-s, studentët shprehën shqetësimin për „bisedat informative“ që po zhvillohen me ta dhe prindërit e tyre. “Ky nuk është fundi, por fillimi i luftës sonë për drejtësi,“ deklaruan studentët, duke paralajmëruar vazhdimin e protestave derisa kërkesat e tyre të përmbushen.

 

Të ngjashme

Foto lajm