Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, e ka cilësuar si “skandaloze” kërkesën e Sofjes për pjesëmarrje në procesin e ndryshimeve të kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.
Ministri bullgar i Punëve të Jashtme, Nikolaj Milkov, ka thënë të mërkurën se Bullgaria dëshiron të përfshihet dhe të konsultohet në procedurën për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.
Ndryshimet kushtetuese janë obligim që del nga marrëveshja mes Shkupit dhe Sofjes bazuar në atë që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe çështjet historike, por edhe për përfshirjen e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës.
“Kërkesa nga Sofja është skandaloze. As pushtuesit nuk bëjnë kërkesa të tilla ndaj vendeve, territoreve apo shteteve që i pushtojnë. Në shekullin XXI është absurde dhe joshembullore të kërkosh të ndërhysh në proceset e brendshme politike dhe kushtetuese-ligjore të çdo vendi. Dhe mendoj se në këtë drejtim përgjigja jonë e djeshme përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme ka qenë në vend”, deklaroi presidenti Pendarovski.
Ministri i Jashtëm i Bullgarisë kërkesën për përfshirjen në bisedimet për ndryshimet kushtetuese e ka paraqitur në takimin e të mërkurës me Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
“Natyrisht që atmosfera atje e lejon këtë të ndodhë. Ka elemente të mosndëshkimit që e favorizojnë atë. Tani, me sa dimë, atje (në Shkup) tashmë po diskutohen disa variante të teksteve të ndryshimit të Kushtetutës. Ne do të donim të ishim pjesë e këtij procesi, në mënyrë që ai të ecë pa probleme. Ne dëshirojmë të konsultohemi për këto çështje”, ka deklaruar ministri i jashtëm bullgar, Nikolaj Milkov.
Në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut thuhet se “procesi i ndryshimeve kushtetuese është çështje e brendshme e vendit, obligim që ndërlidhet me negociatat për anëtarësim në BE”.
Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është kusht që Maqedonia e Veriut të fillojë hapjen e kapitujve në negociatat me Bashkimin Evropian.
Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga të gjitha partitë politike parlamentare që të caktojnë nga një anëtar që do të jenë pjesë e grupit të punës, i cili duhet të hartojë amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës.
Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së në vitin 2020 kishte vendosur veto ndaj nisjes së bisedimeve mes Brukselit dhe Shkupit, ndërsa këtë mund ta përsërisë edhe në procesin e mëtejmë të BE-së, nëse Maqedonia e Veriut nuk i përmbushë detyrimet nga marrëveshja me Bullgarinë që ishte arritur në qershor të vitit 2022./rel
Edi Rama në takim me Papa Leonin XIV, një hap i rëndësishëm ...
Miratohet Buxheti i Prishtinës
Kryetari i Fushë Kosovës pret në takim qytetarët për të dëgj...
Atentat gjeneralit rus, plagoset pas të shtënave me armë zja...
Kosova synon podiumin në Paris Grand Slam 2026
Dyshohet për dallavere me vota, kryesuesja në Deçan ndalohet...