Ish-oficeri i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ostoja Stanisiq, u dënua me 11 vjet burg për pjesëmarrje në gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në korrik 1995, por zëvendësi i tij u lirua nga akuzat.
Gjykata shtetërore në Sarajevë të premten deklaroi se Ostoja Stanisiq, ish-komandanti i Batalionit të Gjashtë të Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, është fajtor për përfshirje në vrasjen e më shumë se 700 burrave dhe djemve boshnjakë nga Srebrenica në korrik të vitit 1995.
“Më 14 dhe 15 korrik 1992, anëtarë të Batalionit të Gjashtë që ishin nën komandën e Stanisiçit, pranuan disa qindra burra të kapur nga Srebrenica në Petkovci, ndërkohë që i pandehuri e dinte që ata më pas do të vriteshin”, thuhet në vendim.
Boshnjakët u qëlluan për vdekje në digën Petkovci, pranë fshatit Djulici, në komunën e Zvornikut. Ata ishin në mesin e më shumë se 7,000 prsonave të cilët u vranë pasi Srebrenica ra në duart e forcave serbe të Bosnjës.
Sipas të njëjtit vendim, zëvendësi i Stanisiqit, Marko Miloseviq, u lirua nga të gjitha akuzat.
Në një deklaratë të shkurtër, gjykata tha se prokuroria vërtetoi fajësinë e Stanisiqit dhe se dënimi me 11 vjet burg ishte një dënim i përshtatshëm.
“Ai përfaqëson dënimin e shoqërisë ndaj këtij akti”, tha kryetari i trupit gjykues Stanisa Gluhajiq.
Gluhajiq tha se të ndaluarit u mbyllën në tre ndërtesa në Petkovci, ku ndodhej komanda e batalionit dhe Stanisiqi ishte i pranishëm atje gjatë gjithë kohës. Banorët e Srebrenicës u rrahën dhe u mbajtën në kushte çnjerëzore, shtoi ai.
Gluhajiq tha gjithashtu se zyrtarë të rangut të lartë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës ishin të pranishëm në Petkovci në atë kohë.
“Qëndrimi i përgjithshëm ishte: transferoni, ndaloni dhe vrisni”, tha Gluhajiq.
Gjyqtari tha se i besonte vlerësimit të një eksperti që dëshmoi se trupat e përfshira nuk kishin aspak në plan t’i trajtonin burrat nga Srebrenica si të burgosur lufte, duke shtuar se nëse ata do të kishin dashur, do t’i kishin çuar në kampin e burgimit në Batkoviq, pranë Bijeljinës, në vend të kësaj.
Ai tha gjithashtu tha se koordinimi i operacionit – lidhja e të ndaluarve, mbikëqyrja e hipjes së tyre nëpër kamionë dhe shoqërimi për te diga, duke e ditur që ata do të vriteshin – u krye nën komandën e të pandehurit.
Gjykata tha se ajo kishte parë mjaftueshëm prova për të arritur në përfundimin se Stanisiq “kishte informacione në lidhje me ngjarjet dhe kishte marrë pjesë në planin e shfarosjes së boshnjakëve nga Srebrenica”.
Duke diskutuar lirimin nga akuzat të Marko Miloseviqit, gjykata theksoi se edhe pse prokuroria ofroi prova për të arritur në përfundimin se Miloseviçi ishte zëvendësi i Stanisiçit dhe se ishte i pranishëm në digën Petkovci, ku ndodhën vrasjet, ajo nuk paraqiti asnjë provë se Stanisiçi “i transferoi ndonjë autoritet për vrasjet zëvendësit të tij”.
Vendimi mund të apelohet./BIRN
Nis takimi i Osmanit me liderët e partive politike për datën...
Haradinaj arrin në Presidencë për takim me Osmanin
VV s’i shkon në takim Vjosa Osmanit
Udhëheqësit fetarë rrethojnë Trumpin dhe luten për të, pamje...
Izraeli sulmon bunkerin nëntokësor të liderit të Iranit
Nagavci: Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për shpërnda...