Mustafa thotë se mirënjohjen Vuçiqit ia dha të shkruar në serbisht

18:55 | 15 Korrik 2015
M. A.

Pas vizitës së kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq në Luginën e Preshevës, ku edhe u dekorua me një mirënjohje nga kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ky i fundit ka thënë se mirënjohja ishte në shenjë respekti për shkak se kjo ishte vizita e parë e një kryeministri serb në Preshevë.

Megjithatë, mirënjohja ishte dhuruar në gjuhën serbe, që sipas Mustafës tregonte një respekt më shumë ndaj Vuçiqit.

“Është hera e parë që Presheva pret nga Beogradi një kryeministër dhe për këtë komuna e Preshevës i ka dhuruar një mirënjohje në serbisht sepse Aleksandar Vuçiq është serb, dhe si çdokush që do të ishte i interesuar të dinte se çfarë përmbajtje ka ajo, e kemi bë në serbisht. Jo që nuk kemi mundur në shqip ose na ka pengu diçka, por është edhe një respekt më tepër”, tha Mustafa .

Ai tha se Vuçiq ka mbetur i habitur kur ka kuptuar se papunësia në Preshevë është mbi 70 për qind dhe se është zotuar që do të ndihmojë në fushat kryesore, si ajo e arsimit dhe e zhvillimit ekonomik.

“Është zotuar se do të përkushtohet në maksimum në zgjidhjen e problemeve esenciale, në fushën e arsimit, kryesisht tekstet mësimore, ka vizituar maternitetin, projekt për të cilin sa e sa vite e kanë kërkuar shqiptarët dhe nuk e kishim dritën jeshile për ta futur në funksionim. Vuçiqi ka thënë se do të jetë i gatshëm të ndihmojë Preshevën edhe në zhvillimin ekonomik sepse papunësia është tej mase, mbi 70 për qind”, ka sqaruar Mustafa për Indeksonline.

Sipas tij, sot Vuçiqi ka prekur për së afërmi problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Preshevës, sidomos shqiptarët, dhe se për këtë kryeministri serb nuk ka pasur informacion të duhur.

“Kujtoj që sot vet kryeministri serb Vuçiq të prek drejtpërdrejt problemet e shqiptarëve dhe qytetarëve që janë në Luginën e Preshevës, megjithatë në theks të veçuar të shqiptarëve sepse në Preshevë janë mbi 95 për qind shqiptarë. Për këtë ai ka mbetur i habitur nga që nuk ka pasur informacione të mjaftueshme për situatën në Preshevë edhe për fushën e ekonomisë”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se pas vizitës së Vuçiqit në maternitet, ky i fundit ka mbetur i fasionuar për shkak të teknologjisë së re, e cila siç sqaron Mustafa, është përfunduar nga delegacioni ndërkombëtar, nga investitorët donatorë si dhe nga ndihma e Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës me nga 50 mijë euro.

Shpërndaje në rrjete sociale