Deputetët e Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska miratuan dorëheqjen e Savo Miniqit nga funksioni i kryetarit të Qeverisë së Republikës Sërpska RS), me ç’rast u përmbyll seanca e 29-të e jashtëzakonshme e parlamentit, njofton RTRS.
Së shpejti pritet të mblidhet Kolegji i Kuvendit Popullor, në të cilin do të përcaktohet data dhe rendi i ditës i seancës së ardhshme të jashtëzakonshme, për zgjedhjen e Qeverisë së re të RS-së.
Miniq më 15 janar e ka kthyer mandatin, ndërsa ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës Sërpska, Ana Tërstiq Babiq, e ka njoftuar se do të propozohet sërish për mandatar.
Miniqi u emërua kryeministër nga Kuvendi Popullor i RS-së më 2 shtator të vitit të kaluar. Mandatin për formimin e Qeverisë ia kishte dhënë dhjetë ditë më herët Millorad Dodik.
Ky veprim ishte i kontestueshëm për një grup deputetësh të Parlamentit të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), të cilët më 9 shtator paraqitën një apelim në Gjykatën Kushtetuese të BeH për vlerësimin e asaj vendimmarrjeje.
Konkretisht, Dodikut në fillim të gushtit i ishte hequr mandati i presidentit të RS-së, pasi Gjykata e BeH e kishte dënuar me vendim të formës së prerë me një vit burg (të cilin ai më pas e bleu) dhe me gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve politike, prandaj ai as nuk mund të propozonte Miniqin për mandatar.
Sipas Kushtetutës së entitetit, presidenti i RS-së i propozon Kuvendit Popullor kandidatin për kryetar të Qeverisë.
Koalicioni qeverisës në RS atëherë pohonte se mandatarin e kishte propozuar Dodik, si president i entitetit, ndonëse ai formalisht-juridikisht nuk ishte më në atë funksion pas aktgjykimit të formës së prerë dhe vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor të BeH, me të cilin atij i ishte hequr mandati.
Dodik atëherë vazhdonte të pretendonte se ishte president i RS-së, por më vonë ndryshoi qëndrim dhe Kuvendi Popullor i RS-së e emëroi Anën Tërstiq Babiqin, këshilltaren e tij shumëvjeçare, si ushtruese detyre të këtij funksioni.
Gjykata Kushtetuese e BeH tashmë në nëntor të vitit të kaluar ka diskutuar për kushtetutshmërinë e Qeverisë së re të RS-së, por ka theksuar se vendimin do ta marrë në seancën e radhës, e cila pritet të mbahet javën e ardhshme.
Çfarë thotë Kushtetuta e RS-së?
Presidenti i Republikës propozon kandidatin për kryetar të Qeverisë brenda afatit prej 10 ditësh nga dita e miratimit të dorëheqjes, votimit të mosbesimit ose përfundimit të mandatit të Qeverisë së mëparshme për shkak të shpërndarjes ose shkurtimit të mandatit të Kuvendit Popullor.
Qeveria e re duhet të zgjidhet brenda afatit prej 40 ditësh nga dita e propozimit të kandidatit për kryetar të Qeverisë së re./rel
Shkëndija fiton derbin me Vardarin dhe rihap garën për titul...
Policia e Kosovës dhe Shërbimi Sekret Amerikan drejt bashkëp...
Policia gjen armë dhe municion në një shtëpi të braktisur në...
Shtyhet më 12 mars seanca paraprake për dosjen “Meta”
Llapi siguron gjysmëfinalen pas ekzekutimit të penalltive
LVV mund t’i drejtohet Kushtetueses nëse dështon zgjedhja e ...