Maqedoni, as gjysma e qytetarëve nuk janë vaksinuar

21:35 | 13 Tetor 2021

Gjatë ditës së djeshme janë bërë 1529 testime, ndërkaq janë regjistruar 111 raste të reja me Kovid-19. Kanë vdekur 15 persona – të gjithë në kushte spitalore, ndërsa janë shëruar 165 persona. Megjithatë vetëm 35 për qind e popullatës në vend kanë marrë dy doza të vaksinës, përderisa sipas numrit të vaksinave të aplikuara, 38 për qind e tërë popullatës në vendin tonë është vaksinuar së paku me një dozë. Me këto shifra, Maqedonia vazhdon të renditet ndër të fundit në rajon dhe Evropë me më pak të vaksinuar. Megjithëse vaksina ka, qytetarët vazhdojnë të ngurrojnë për të pranuar vaksinën. Lajmet e rreme kundër vaksinimit nga ana tjetër vazhdojnë gjithandej. Përkundër thirrje për imunizim, 65 për qind e qytetarëve nuk i janë drejtuar pikave të vaksinimit. Kjo, siç thonë ekspertët e shëndetësisë, është shqetësuese pasi lajmet për numrin e viktimave dhe numri i madh i të infektuarve nuk u bën përshtypje qytetarëve.

Në Maqedoni të Veriut janë të kapshme Fajzer/BioNTek, që është e lejuar edhe për personat prej 12 vjeç dhe AstraZeneka, e cila është e kapshme për personat mbi 60 vjeç. Komiteti për imunizim tashmë ka rekomanduar dozën e tretë “Fajzer” jo vetëm për personat mbi 60 vjeç dhe për punonjësit shëndetësorë, por edhe për gjithsecilin qytetarë nëse janë të ekspozuar ndaj rrezikut nga Kovid-19, për shkak se kanë kontakte të shpeshta në punë apo privatisht, pa marrë parasysh moshën dhe nëse kanë apo nuk kanë sëmundje kronike. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se deri më 10 tetor, dozë të tretë kanë marrë rreth 800 qytetarë.

Nga dje ka nisur edhe testimi i 8200 nxënësve nga shkollat fillore dhe të mesme. Testimi zhvillohet sipas zgjedhjes së rastësishme nga regjistri i E-ditarit dhe është në pajtim me prindërit e tyre. Skriningu është paraparë të zgjasë pesë ditë, ndërsa brenda dozës do të testohen nga rreth 1600 fëmijë, në vetë shkollat nga ekipet mobile. Testimi në shkollat e mesme dhe fillore, siç sqarojnë kompetentët, zhvillohet me qëllim që të fitohet informatë për transmision të mundshëm të virusit në shkolla. Në shkolla janë vaksinuar rreth 75 për qind e mësimdhënësve, përderisa mësim në distancë ndjekin rreth dy për qind e nxënësve, sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Më së shumti raste aktive ka në Shkup – 3550, Kumanova është në vend të dytë me 612 raste aktive dhe në vend të tretë Tetova me 187 raste aktive. Deri më tani në vend janë bërë gjithsej 1.324.894 testime për Kovid-19. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Kovid-19 më vend prej fillimit të epidemisë është 195.002, numri i pacientëve të shëruar është 181.196, i të vdekurve 6.849, ndërsa i rasteve aktive është 6.957.

VAKSINIMI MBRON NGA VDEKJA
Rezultatet nga studimi i ri francez tregojnë se vaksinimi kundër Kovid-19 e ulë rrezikun nga hospitalizimi dhe vdekja për 90 për qind tek njerëzit më të moshuar se 50 vjeç dhe duket sikur është efikas kundër variantit Delta të virusit. “Kjo do të thotë se njerëzit e vaksinuar kanë nëntë herë rrezik më të vogël për hospitalizim apo vdekje nga Kovid-19 se sa personat e pavaksinuar”, deklaroi për AFP-në epidemiologu Mahmud Zureik, i cili e kryeson grupin shkencor Epi-Fare. Në studim ceket se nga dita e 14-të pas dozës së dytë të vaksinës “është vërejtur ulje e rrezikut nga hospitalizimi për mbi 90 për qind”. Hulumtimi është bërë sipas të dhënave nga 11 milionë persona të vaksinuar, më të moshuar se 50 vjeç krahasuar me të dhënat për 11 milionë persona të pavaksinuar të së njëjtës grup moshë, në periudhë prej 27 dhjetorit të vitit 2020 deri më 20 korrik të këtij viti. Ky hulumtim ka të bëjë vetëm me vaksinat Fajzer/BioNTek, Moderna dhe AstraZeneka.

VAKSINIMI I KA ZVOGËLUAR SHPENZIMET PËR HOSPITALIZIM
Vaksinimi i ka zvogëluar shpenzimet për hospitalizim për 170.8 milionë denarë ose 2.8 milionë euro gjatë pesë javëve të fundit nga vala delta, tregon brifingu më i ri i “Finance Think”. Vaksinimi, sipas vlerësimeve, e ka zvogëluar hospitalizimin ndërmjet 37.9 dhe 46.5 për qind dhe parandaloi të vaksinohen plotësisht rreth 14.500 njerëz ose 148 më shumë të sapoinfektuar në ditë gjatë 3,5 muajve të fundit. “Mungesa e vaksinimit, do të kontribuonte, deri në 4595 hospitalizime plotësuese javore (rreth 328 hospitalizime më shumë, në javë”, thuhet në raport. Bartësve të politikave u rekomandohet ta përshpejtojnë tempon e vaksinimit me vendosjen e masave simulative si për shembull vauçerët e vlefshëm veçanërisht në qytetet ku ka nivel më të ulët të popullatës së vaksinuar. Edhe në sektorin privat u rekomandohet përmes masave simuluese t’i motivojë të punësuarit të vaksinohen, ndërsa gazetarët dhe hulumtuesit ta rrisin nivelin e informimit të popullaritetit për efektet e vaksinimit përmes analizave të hollësishme dhe të qëndrueshme.

Lajmet më të lexuara