Manifesti maqedonas: Vizita e Nuland ka për qëllim rrënimin e Maqedonisë

17:20 | 13 Korrik 2015
M. A.

Anëtarët e Manifestit maqedonas e kanë pritur me akuza të rënda dhe ofendime ndihmës sekretaren e shtetit amerikan për Evropë dhe Euro azi, Viktoria Nuland, duke thënë se ajo ka ardhur për të bërë presion për emrin dhe për të dëmtuar identitetin maqedonas. Drejtues të manifestit shkuan deri aty sa akuzuan se Nuland ka ardhur në Maqedoni për të realizuar skenarin e Ukrainës.

“Manifesti maqedonas edhe një herë shprehet për temën më të ndjeshme maqedonase sot, emrin. Tani edhe me rastin e vizitës së Viktoria Nuland. Nuk e dijmë se çfarë bisedohet me të pas dyerve të mbyllura, por mund të paramendojmë se në ato bisedime bëhet një presion I madh mbi identitetin maqedonas që ai krejtësisht të detronizohet me ndryshimin e emrit”, deklaroi Zapro Zaprov, Manifesti maqedonas.

“Emri ynë është në rrezik të madh, sepse e dimë me çfarë vjen Nuland. Ne e pamë zonjën Nuland në Ukrahinë ku i mbante çelësat e kaosit dhe e pamë se çfarë ndodhi pas largimit të saj nga Ukraina, një tragjedi totale. Shpresojmë se tek ne do të jetë më butë dhe nuk do ti sjell ata çelësa”, tha Evtin Kletnikov, Manifesti maqedonas.

Akuza të rënda u lëshuan ndaj gjithë bashkësisë ndërkombëtare, SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian. Nuk u kursye as ambasadori amerikan Xhems Bejli, të cilin e quajtën si rrënues të sistemeve dhe bashkë-autor të bombave të Zaevit. Manifesti u shpreh edhe kundër marrëveshjes së 2 Qershorit, ndërsa akuza të rënda lëshuan edhe ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe vendeve fqinjë me të cilat Brukseli ka kërkuar Maqedonia të ketë marrëdhënie të mira. Anëtarët e Manifestit maqedonas kërkuan nga politikanët maqedonas që haptas të dalin dhe të kundërshtojnë të gjitha rekomandimet e bashkësisë ndërkombëtare, si ato që vijnë nga Brukseli edhe ato nga Uashingtoni. /Alsat-M/

Shpërndaje në rrjete sociale