Luftëtarët e Arkanit vranë joserbë në bazën në Kroaci

13:06 | 19 Tetor 2017
Në gjyqin e ish-krerëve të sigurimit serb të shtetit, Jovica Stanisiq dhe Franko Simatoviq, u tha se luftëtarë që dyshohet se kontrolloheshin nga të pandehurit ndaluan dhe vranë joserbë në bazën në Kroaci që drejtohej nga shefi paraushtarak Arkani.
 Një dëshmitare e mbrojtur e akuzës e koduar me emrin RFJ-102 dëshmoi në Mekanizmin për Gjykatat Ndërkombëtare në Hagë të mërkurën se joserbët u arrestuan, u rrahën dhe u vranë në një bazë të drejtuar nga një njësi paraushtarake serbe e udhëhequr nga Zeljko Raznatoviq, i njohur ndryshe si Arkani, në fshatin Erdut në zonën e Sllavonisë Lindore të Kroacisë në vjeshtën e vitit 1991.

Gjatë dëshmisë, shumica e së cilës u dha me dyer të mbyllura, dëshmitarja tha se u arrestua nga njerëzit e Raznatoviqit në fund të vitit 1991 dhe u dërgua në bazën në Erdut.

Në deklaratën e saj, RFJ-102 tha se njerëzit e Arkanit “e ekzaminuan dhe kërcënuan atë”, duke thënë se do ta vrisnin.

Dëshmitarja tha se ndërkohë që burrat e Raznatoviqit e ekzaminonin, ajo “i dëgjoi ata të rrihnin” persona të tjerë të arrestuar.

Gjatë marrjes në pyetje, avokati mbrojtës i Stanisiqit sugjeroi se dëshmitarja s’i kishte parë personalisht vrasjet e të ndaluarve, por kishte dëgjuar për to nga një tjetër person.

Dëshmitarja RFJ-102 tha se kjo ishte e vërtetë.

Jovica Stanisiq, ish-kreu i sigurimit të shtetit në Serbi dhe ish ndihmësi i tij Franko Simatoviq akuzohen si përgjegjës për persekutimin, vrasjen, dëbimin dhe zhvendosjen e dhunshme të civilëve kroatë dhe boshnjakë gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Sipas akuzave, Garda Vullnetare Serbe e Arkanit kontrollohej nga sigurimi serb i shtetit.

Arkani u padit për krime lufte nga Gjykata e Hagës, por u qëllua për vdekje në Beograd në vitin 2000 dhe s’doli kurrë në gjyq.

Dëshmitarja e mbrojtur RFK-038 dëshmoi gjithashtu në seancën e së mërkurës për bazën e Arkanit në Erdut, ku ajo punonte si kuzhiniere në vitin 1991.

Duke përmbledhur deklaratën e saj me shkrim, të cilën gjykata e pranoi si provë, prokurorët thanë se dëshmitarja përshkroi “ndalimet e rastësishme” dhe abuzimin e joserbëve në bazën në Erdut, si edhe dëbimet dhe zhduket e kroatëve dhe hungarezëve etnikë nga fshati.

Duke folur për Raznatoviqin, të cilin ajo e shihte çdo ditë në bazë, ajo tha se “të gjithë e kishin frikë me kuptimin e plotë të fjalës”.

Teksa i përgjigjej një sugjerimi nga avokati mbrojtës i Simatoviqit, dëshmitarja konfirmoi se “si serbët ashtu edhe kroatët” kishin frikë nga Arkani.

Avokati mbrojtës i Stanisiqit e pyeti dëshmitaren nëse ajo kishte parë ndonjëherë të burgosur të silleshin në bazën në Erdut.

“Jo, por një kolegu im i pa ata të sillnin tim shoq, duart e të cilit ishin të prangosura”, u përgjigj RFJ-038.

Sipas akuzave, ata ishin pjesë e një sipërmarrjeje të përbashkët kriminale të udhëhequr nga ish-presidenti serb Sllobodan Millosheviq që synonte dëbimin e përhershëm me dhunë të kroatëve dhe boshnjakëve nga pjesë të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës për të arritur dominim serb.

Stanisiq dhe Simatoviq deklaruan të dy se ishin të pafajshëm në dhjetor të vitit të kaluar pasi apeli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë rrëzoi vendimin e mëparshëm për lirimin e tyre nga akuzat.

Gjykata vendosi më 15 dhjetor se kishte gabime serioze ligjore dhe faktike kur Stanisiq dhe Simatoviq u liruan fillimisht nga akuzat për krime lufte në vitin 2013.

Ajo urdhëroi që çështja të rigjykohej dhe të gjitha provat dhe dëshmitarët të ridëgjoheshin plotësisht nga gjyqtarët e rinj.

Gjyqi do të vazhdojë më 31 tetor.

Shpërndaje në rrjete sociale