Ligji për gjuhët në Maqedoninë e Veriut mund të sjellë destabilizim në vend

15:41 | 7 Shtator 2024
K.B

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet që së shpejti të vendosë nëse do ta shfuqizojë ose do ta lërë në fuqi në ligjin për përdorimin e gjuhëve apo të ndërhyjë vetëm në dispozita të caktuara.

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti konsideron se keqpërdorimi i gjuhës shqipe për qëllime politike, mund të sjellë në destabilizim të vendit.

Sipas tij, nismën për vlerësim të ligjit e kanë nxjerrë nga sirtari, gjykatës të emëruar nga BDI-ja.

“Ne po bëjmë përpjekje pa ndërhyrë në Gjykatën Kushtetuese, që Gjykata Kushtetuese ta vlerësojë edhe momentin politik, përveç atij juridik, sepse duke u sjellë në mënyrë të papërgjegjshme në kohë të papërshtatshme, mund të krijojnë destabilizim. Ne si VLEN jemi pjesë e Qeverisë dhe jemi garant për gjuhën shqipe. Nuk do të lejojmë që dikush të luajë me gjuhën shqipe”, ka thënë Mexhiti.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes një reagimi me shkrim kanë thënë se “Mexhiti e di përgjigjen, sepse ai vetë i priu grupit negociator nga BDI me LSDM-në dhe e prezantoi Ligjin në Kryesinë e partisë, sipas tyre, edhe atë në formë dukshëm më të dobët se sa ligjin që u miratua në vitin 2019.

Pas paralajmërimeve se mund të ketë tensione, pas aktualizimit të ligjit të gjuhëve nga Gjykata Kushtetuese, kryeministri Hristian Mickovski tha se vendimet e gjykatës duhet të respektohen dhe se nuk do të ketë mundësi për çfarëdo lloj destabilizimi.
Analisti politik, Bashkim Selmani, vlerëson se Gjykata Kushtetuese do të vendosë në mënyrë të arsyeshme dhe nuk do të krijojë tension politik në vend.

“Unë nuk besoj që partitë politike shqiptare do ta lejojnë një proces të këtillë,edhe pse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë fuqiplota dhe të pakundërshtuara,megjithatë unë shpresoj që logjika e institucionit më të lartë do të vendos në mënyrë të arsyeshme. Unë do të prisja që kjo gjykatë ti jep edhe më shumë atij ligji,i cili edhe siç është nuk është funksional në nivel republikan”, ka thënë Selmani.

Nisma për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për përdorimin e gjuhëve është dorëzuar në vitin 2019, nga 13 nisma qytetarësh dhe parti maqedonase./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale