Kushtetuesja e Maqedonisë V. refuzon përdorimin e shqipes në mesazhet për gjoba në trafik

23:42 | 11 Mars 2026
Q L

Gjykata Kushtetuese në Maqedoni të Veriut ka vendosur të refuzojë të tri iniciativat me të cilat u kontestuan dispozitat e Ligjit për kundërvajtje, gjegjësisht aplikimi i sistemit “Qyteti i Sigurt”. Dispozitat ligjore u kontestuan në disa aspekte, siç është përdorimi zyrtar i gjuhëve në procedurë kundërvajtëse, parimi i barazisë dhe zbatimi territorial. Vendimit në fjalë i parapriu një debat i gjerë me mendime të ndara, posaçërisht nga gjykatësit shqiptarë sa i përket aplikimit të gjuhës shqipe në këtë rast.

Iniciativat në Gjykatën Kushtetuese u dorëzuan nga Zijadin Sela, Ilire Dauti, Elmi Aziri, Ylli Paçuku dhe Arben Taravari. Aplikimi i sistemit të kamerave “Qyteti i Sigurt” ka filluar të aplikohet nga muaji shkurt në qytetin e Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës.

“Me ligjin që e miraton shtëpia ligjvënëse, për çdo të drejtë që vërtetohet apo garantohet me Kushtetutë, ligjvënësi nuk mundet që atë të drejtë ta ngushtojë, ta kufizojë e aq më pak ta shfuqizojë atë. Nuk e ka një të drejtë të tillë. Në rastin konkret, çështja e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, edhe në procedurat për këto kundërvajtje. E drejta nuk po zbatohet dhe kjo d.m.th. se gjuha shqipe nuk po përdoret”, tha gjykatësi kushtetues, Osman Kadriu.

Kryetari i Kushtetueses në Maqedoninë e Veriut, Darko Kostadinovski, tha se nuk pajtohet që “bëhet fjalë për shkurtimin e të drejtave për përdorimin e gjuhëve”.

Ai tha se SMS-at për gjoba të dërgohen në maqedonisht dhe mund të dërgohen edhe në gjuhën angleze, por jo në gjuhën shqipe.

Ndaj këtyre deklaratave pati reagime të shumta.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Kostadinovskit.

“Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj deklaratave skandaloze dhe të papranueshme të kryetarit të Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski. Me qëndrimet e tij të djeshme dhe me një seri vendimesh gjatë dy viteve të fundit, ai ka dëshmuar se ky institucion është shndërruar në një mjet politik për të minuar çdo arritje që buron nga Marrëveshja e Ohrit. Deklaratat e tij për çështjen e projektit “Safe City”, sipas të cilave porositë SMS duhet të dërgohen vetëm në maqedonisht, ndërkohë që mund të dërgohen edhe në anglisht, por jo në shqip, përbëjnë një akt të hapur diskriminimi dhe një shkelje të rëndë të frymës dhe të vetë Kushtetutës së shtetit”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas BDI-së me këtë veprim, kryetari i Gjykatës Kushtetuese jo vetëm që tejkalon kompetencat e tij, por ndërhyn brutalisht në rendin juridik dhe në marrëdhëniet ndëretnike në vend.

“Edhe një herë u dëshmua se gjyqtarët shqiptarë dhe ai turk në këtë gjykatë u mbivotuan, duke rikthyer praktika që i kujtojnë opinionit publik kohët më të errëta të viteve të nëntëdhjeta. BDI kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Darko Kostadinovskit dhe të çdo gjyqtari që ndan të njëjtat qëndrime diskriminuese për këto dy vite me majorizim. Përndryshe, prej sot e tutje ai do të mbajë përgjegjësi të plotë për çdo pasojë që mund të prodhohet në planin e marrëdhënieve ndëretnike. Ne do të veprojmë dhe do të kërkojmë përgjegjësi për këto qëndrime, të cilat nuk janë të rastësishme dhe as të sotme, por janë ndërtuar sistematikisht gjatë dy viteve të fundit”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi ka reaguar ndaj deklaratës së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Kostadinovski lidhur me përdorimin vetëm të maqedonishtes në sistemin “Safe City”. Në intervistën e lajmeve në Alsat, Durmishi tha Kryetari i Gjykatës Kushtetuese duhet ta mbrojë Kushtetutën dhe jo të merrer me politikë ditore.

“Përveç gjuhës maqedonase, sipas kushtetutës gjuhë zyrtare është edhe gjuha të cilën e flasin të paktën 20% e qytetarëve, pra gjuha shqipe. Prandaj as kryetari i gjykatës kushtetuese dhe askush tjetër nuk mund ta mohojë këtë të drejtë, as ta interpretojë kushtetutën ashtu siç dëshiron ai. Ne do të bëjmë betejën tonë brenda Qeverisë, brenda Ministrisë së Brendshme”, tha Durmishi në intervistë për Alsat.

Shpërndaje në rrjete sociale