Katër shqiptarë kandidatë për anëtarë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve në Maqedoni

21:13 | 21 Shkurt 2018

Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) ka nisur shqyrtimi i aplikimeve për zgjedhjen e anëtarëve të rinj me korrespondencë, mes të cilëve janë në garë edhe katër kandidatura shqiptare.

Tre prej tyre janë propozuar nga brenda ASHAM, Zamir Dika (rektor i UEJL) për në Departamentin e Shkencave Teknike, Mirushe Hoxha (Profesore në Fakultetin Filologjik të Shkupit) për në Departamentin e Shkencave Shoqërore dhe atë të Linguistikës, Neritan Ceka (arkeolog) si anëtar i jashtëm, ndërsa Lutfi Zulbeari (Fakulteti i Mjekësisë, UT) është propozuar nga Universiteti i Tetovës në Departamentin e Shkencave të Mjekësisë.

Numri i kandidaturave shqiptare në këto zgjedhje ka qenë më i vogël, edhe pse pritshëmritë kanë qenë më të mëdha, për vetë kriteret favorizuese të konkurrimit si anëtar me korrespondencë. Akademiku Alajdin Abazi pohon se tre kandidaturat e propozuara prej tyre janë përzgjedhur me kujdes dhe përfaqësojnë individë që kanë dhënë kontribut në fushat në të cilat kanë vepruar dhe e meritojnë të jenë pjesë e këtij institucioni.

“Kohët kanë ndryshuar, por surprizat nuk mund të përjashtohen, pasi votimi është i fshehtë. Jam i bindur se kandidatura e Cekës do të pranohet, sa i takon të tjerave shpresoj dhe besoj se do të pranohen. Por gjitiçka mund të ndodhë, e kemi provuar edhe vitet e mëparshme dhe nuk na ka ecur, por të paktën është mirë që të zgjidhen dy anëtarë shqiptarë”, thotë Abazi. Akademiku i referohet dy kandidaturave që janë refuzuara viteve të kaluara, Zamir Dikës dhe Mirushe Hoxhës, që këtë vit konkurrojnë për herë të dytë, por edhe kandidaturave të tjera që kanë konkurruar disa herë dhe nuk kanë arritur të pranohen në akademi.

Në konkursin e tre viteve më parë, atëherë kur ndryshuan edhe kriteret e aplikimit duke mundësuar opsionin e anëtarëve me korrespondencë të cilët pas pesë vitesh mund të bëhen anëtarë të rregullt.

Izet Zeqiri, anëtari me korrespondencë i ASHAM, u zgjodh tre vjet më parë.

“Në këtë konkurs pritnim që të kishim më shumë aplikues, por numri ishte i vogël, vetëm një, ndërsa ne vetë si grup kemi bërë tre propozime. Tani jemi në fazën e dytë të konkurrimit dhe pas përfundimit të këtij procesi do të shohim rezultatet. Por gjithsesi ne i kemi shqyrtuar me kujdes kandidaturat e propozuara dhe kemi marrë për bazë arritjet e tyre shkencore, kontributin shoqëror që kanë dhënë, jo vetëm në planin nacional, por edhe ndërkombëtar”, thotë Zeqiri.

AMSHA numëron gjashtë anëtarë shqiptarë, prej të cilëve tre anëtarë të rregullt – Luan Starova (Departamenti i Arteve), Alajdin Abazi (Departamenti i Shkencave Teknike) dhe Abdylmenaf Bexheti (Departamenti i Shkencave Shoqërore). Dy anëtarë të jashtëm, Ali Aliu (Departamenti i Arteve) dhe Rexhep Mejdani Departamenti i Shkencave Teknike./Koha/

Lajmet më të lexuara