Ambasadori rus në Serbi, Alexander Botsan Kharchenko, ka thënë se negociatat për shitjen e aksioneve ruse në Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) te kompania hungareze MOL, nuk kanë përfunduar ende, mirëpo është shënuar përparim.
Në një intervistë dhënë për media, Kharchenko ka thënë se “i gjithë procesi po shkon në drejtimin që u përshtatet të gjithëve, çka është konfirmuar në deklarimet e zyrtarëve serbë”.
“Mund të them se rezultatet aktuale të bisedimeve janë në linjë të plotë me marrëdhëniet miqësore mes Rusisë dhe Serbisë. Dhe, më e rëndësishmja, ato ofrojnë mundësi për vazhdim bashkëpunimi në fushën e energjisë dhe çdo sektor tjetër”, ka thënë Kharchenko.
I pyetur nëse e sheh vendimin e autoriteteve amerikane për të zgjatur licencën e punës për NIS-in deri më 20 shkurt si sinjal që pala amerikane mund t’ia japë dritën e gjelbër marrëveshjes përfundimtare për shitjet e aksioneve ruse te MOL-i, apo nëse sheh komplikime tjera në ardhje, ai ka thënë se është “shumë i rezervuar në këtë drejtim”.
“Çështja e NIS-it është shumë e komplikuar, janë edhe autoritetet amerikane të përfshira dhe nuk mund të përjashtojmë asgjë. Kjo është bota në të cilën jetojmë. Vendimi amerikan për të zgjatur licencën është me rëndësi, sidomos për ruajtjen e funksionalitetit të NIS-it dhe rafinerisë, sepse ky është një burim i rëndësishëm për sigurinë energjetike të Serbisë. Me fjalë tjera, kemi rreze shprese”, ka thënë Bocan Kharcenko.
Aktualisht NIS-i është nën sanksione amerikane për shkak të pronësisë së madhe ruse në të, dhe në mënyrë që masat ndëshkuese të largohen, administrata amerikane është duke kërkuar largimin e dorës ruse nga pronësia.
Grupi hungarez MOL ka konfirmuar më 19 janar se ka nënshkruar një marrëveshje kornizë me Gazprom Neft-in e Rusisë për të blerë 56.15 për qind të aksioneve në NIS.
Konfirmimin përfundimtar për marrëveshjen duhet ta japë Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja e Departamentit amerikan të Thesarit./rel
Xhaka vazhdon rehabilitimin, mungon ndaj Burnleyt
Prindërit me dy fëmijë të lënduar nga guri i madh që ra mbi ...
Rrëshqitje e madhe e gurëve, bllokohet për qarkullim rruga P...
Rama: Ndihmë financiare për qytetarët e dëmtuar nga zjarret ...
Raundi i ardhshëm i bisedimeve SHBA-Rusi-Ukrainë do të fillo...
Brikena e rezervuar pas surprizës së Mateos, i jep vetëm dor...