Ahmeti: Unë punoj për popull, jo për karierë

10:15 | 27 Shtator 2015
M. A.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, i shoqëruar nga funksionar të lartë të BDI-së në pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ, ka vizituar sot komunën e Zhelinës.

Funksionerët e BDI-së morën pjesë në inaugurimin e proekteve fshatin Dobërc, vizituan zonën industriale dhe zyren e kontrollit teknik “Besha Trans” në Zhelinë, si dhe kompaninë “Vezë Sharri” në Trebosh.

Në fund të vizitës, z. Ahmeti realizoi bashkëbisedim me qindra banor të komunës së Zhelinës.

Në fjalën e tij, z. Ahmeti foli edhe për fushatën e shpifjeve dhe konstrukcioneve tendencioze ndaj tij dhe BDI-së.

“Unë jam angazhuar në karierën time edhe për fjalën e lirë edhe për mendimin e lirë. Nuk i takoj pleadës se njerëzve që mbysin fjalën e lirë, sepse vlerësuesi në fund të fundit eshtë vet populli. Mileti eshte vlerësuesi, korrektuesi dhe redaktori më i mirë. Të mençurit nuk bërtasin, të vegjlit kukasin. Pavarësisht se cka thuhet, ne nuk guxojmë të devijojmë nga agjenda dhe përcaktimet tona drejtë realizimit të qëllimeve fisnike që i kanë shqiptarët në RM.” përfundoi Ahmeti.

“Ne nuk i braktisim shqiptarët asnjëherë. Une dua që punet ti kryejm me pergjegjesi, e jo eufori. Unë nuk bëj politik emotive, por as folklorike. Ne jemi imponuar dialog dhe uljen e lartive për të gjetur zgjidhje. Për këtë projekt, ne përfituam simpatinë dhe përkrahjen e komunitetit ndërkombetar. Vizionin tonë e përkrahu edhe Brukseli drejtë arritjes së marrëveshjes se 2 qershorit që është e dobishme edhe për shqiptarët edhe për maqedonasit. Ne kishim të drejtë që treguam urtësi dhe durim për ta menaxhuar situatën. Ne gjithe atë eufori, unë isha i vetëdishëm që BDI humbiste, por arsyeja jonë dominoi sepse isha i sigurt që shqiptarët do ta vlerësojnë urtësinë dhe qasjen tonë në këtë krizë të madhe.” tha Ahmeti.

“Unë nuk jam angazhuar për tu pasuruar edhe për të bërë karierë, por për të punuar për këtë popull. Unë nuk do të ndahem i turpëruar dhe mosmbajtjes i fjalës së dhënë. Kemi edhe shumë punë për të bërë përpara nesh. E mira vjen ngadal, e keqja vjen pa e thirrë fare.” theksoi Ahmeti.

Ahmeti gjithashtu theksoi që shqiptarëve nuk ju duhet pluralizem anarkik me shumë parti. Ai bëri krahasim me ndarjen e votave mes shumë partish në Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi. Ahmeti bëri thirrje për një përqendrim të votës shqiptare sepse fronti midis shqiptarëve dhe maqedonasve është shumë i fort dhe i ashpër akoma.

“Nuk na duhen 10 parti që do të çojnë dëm me dhjetëra mijëra vota të shqiptarëve. Mandati i fuqishëm na bën më të dobishëm.” tha Ahmeti.

Ahmeti rikapituloi edhe gjithë aktivitetin politik në dy vitet e fundit duke i njohtuar qytetarët me menyrën e veprimit dhe mendimit të BDI-së për çështjet kruciale.

Të pranishmëve ju drejtuan edhe Kryetari i Komunës së Zhelinës Fatmir Izairi, Deputetja nga Zhelina Nora Aliti, Ministri Abdilaqim Ademi dhe të tjerë.

Shpërndaje në rrjete sociale