Eshtrat e 19 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë varrosen sot në Qendrën Përkujtimore Potoçari.
Viktima më e re që varroset është Azmir Osmanoviq, i cili ishte 16 vjeç kur u vra. Eshtrat e tij u gjetën në një varr masiv dhe u identifikuan në maj të këtij viti.
Viktima më e vjetër që varroset është Husein Kurbashiq – 63 vjeç në kohën kur u vra.
Bosnje dhe Hercegovina shënon sot 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës.
Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.
Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.
Vrasjet ndodhën për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave mori vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.
Në Qendrën Përkujtimore Potoçari, deri më tani, janë të varrosura mbi 6,650 viktima – në mesin e tyre mbi 430 të mitur.
Në lokacione të tjera, sipas dëshirës së familjarëve, janë të varrosura mbi 230 viktima, ndërsa kërkimet vazhdojnë ende për rreth 1,000 të zhdukur.
Masakra e Srebrenicës, e cila ndodhi pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, u cilësua si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u njoh si gjenocid.
Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.
Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq./Rel/
LDK akuzon Qeverinë për keqpërdorime në energji dhe kërkon t...
24 pjesëtarë të Njësive Speciale certifikohen në aftësi poli...
SHPRESË DHE GËZIM PËR FËMIJËT NË PEDIATRI
Gjenden 3 trupa të vdekur në një shtëpi në Çaçak të Serbisë,...
Rusia sulmon Ukrainën me dronë dhe raketa, dëmtohet infrastr...
21 vjeçari ndalohet me lëndë narkotike në Kaçanik