Kosova në “Ballkanin e Hapur”, pa Vuçiqin në krye të Serbisë

16:00 | 16 Nëntor 2021 | Elvinë Sefiu

Kam një shok timin, shqiptarë që vie nga Mali i Zi, dhe me shumë vullnet, pas mbarimit të studimeve në Kosovë dëshiroi  edhe të punësohej.

Ai u përball me një burokraci të lodhshme, u demoralizua gjithë ai kapacitet intelektual, pasi nuk mund të marrë leje qëndrimi në Kosovë, për shkak se i kërkohet një pagë mbi mesataren.

Ky dokument tejet i vlefshëm, dhe jashtëzakonisht i zorshëm për t’u marrë, demoralizon edhe shumë qytetarë tjerë të rajonit, shumica shqiptarë, që kryejnë studimet këtu, dhe duan të punësohen, por që pak prej tyre mund të kenë 500 euro pagë mujore, e domosdoshme për të marrë lejen e qëndrimit.

Nuk është kjo e vetmja barrierë me të cilën përballen qytetarët edhe nëpër vendet e tjera të rajonit. Ngjashëm, ndoshta edhe më vështirë, ndodhë me ushtrimin e aktiviteteve biznesore.

Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet seriozisht të shqyrtojë mundësinë që t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”, dhe t’i mundësojë qytetarëve të saj të gjejnë mundësi punësimi në të gjithë rajonin në të njëjtat kushte si qytetarët vendas.

Në një Ballkan me liri të lëvizjes së njerëzve, mallrave e shumëçka tjetër, më shumë se që do të përfitonin shqiptarët, askush tjetër.

Lejimi i lëvizjes së lirë të fuqisë punëtore, me njohjen e shpallur të kualifikimeve, do t’i ndihmonte kompanitë të kapërcejnë këto sfida duke ofruar mundësi të shumta pune për qytetarët.

Për lehtësimin e zonës së lëvizjes së lirë, do të vendosen korsi të veçanta për qytetarët dhe mallrat që vijnë nga vendet pjesëmarrëse të Ballkanit të Hapur në pikat kufitare ku nuk do të kryhen kontrolle.

Vlerësohet se heqja e plotë e kontrolleve kufitare dhe krijimi i një zone të lëvizjes së lirë, mund të sjellë 6-9% kosto operative më të ulëta për bizneset.

“Open Balkan” do të shfuqizonte plotësisht kontrollet kufitare, pra, duke reduktuar kohën e pritjes në zero, si për qytetarët ashtu edhe për tregtinë. Për më tepër, me lejet e punës të hequra vetëm për transferimet ndërmjet kompanive dhe ofruesit e veçantë të shërbimeve, nisma e “Open Balkan” do të shkonte një hap më tej duke mundësuar punësimin e gjithë fuqisë punëtore rajonale me një leje pune të mjaftueshme. Prandaj, nisma e “Ballkanit të Hapur” ofron një integrim më të thellë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin Ballkanin Perëndimor për të thelluar dhe forcuar integrimin ekonomik rajonal gjithëpërfshirës, ​​dhe Gjermania argumenton se çdo bashkëpunim rajonal është i dobishëm.

Kosova para se të synojë të njëjta marrëveshje të bëjë me secilin shtet të rajonit veçmas, do të duhej ta shqyrtonte tërësinë e marrëveshjeve që do të zbatoheshin nga të gjitha palët, përfshirë Serbinë.

Kosova nuk duhet të shohë se çfarë bën Mali i Zi, pasi ky shtet pret që të përmbyllë negociatat e anëtarësimit dhe të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, duke mos i dhënë shumë rëndësi përpjekjeve për bashkëpunim rajonal. Ndërsa Kosova, ende nuk ka të liberalizuara vizat për të lëvizur lirshëm në zonën shëngen, diçka që ju mundësua shumë kohë më parë të gjitha vendeve tjera të rajonit.

Kosova duhet ta shohë “Ballkanin e Hapur” si mundësi për të forcuar perspektivën e saj evropiane, pasi deri më tani asnjë përfaqësues i lartë evropian nuk ka argumentuar se synimet e “Open Balkan” nuk janë në përputhje me vlerat e BE-së.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç janë zotuar se përmes kësaj iniciative do të heqin shumicën e pengesave kufitare që pengojnë udhëtimin dhe biznesin midis tre shteteve deri në vitin 2023.

Këta liderë ende nuk kanë arritur të bindin Kosovën, Malin e Zi, dhe Bosnjë Hercegovinën se kjo është rruga e së ardhmes.

Kosova pajtohet për një Treg të Përbashkët Rajonal si pjesë e Procesit të Berlinit, e që sipas Ramës, është e njëjta gjë.

Bosnja dhe Mali i Zi thonë se nuk shohin përfitime të veçanta nga nisma e Ballkanit të Hapur, pasi lehtësimi i kufizimeve të udhëtimit dhe tregtisë mbulohet tashmë nga marrëveshja më e gjerë CEFTA, në të cilën janë palë, dhe nga marrëveshjet dypalëshe.

Pse mos të pranojë Kosova në lidhje me trajtimin e katastrofave natyrore, të bashkëpunojë ngushtë jo vetëm në parandalimin, por edhe në dhënien dhe koordinimin e ndihmës reciproke gjatë tërmeteve, stuhive, zjarreve dhe fatkeqësive të tjera?

Pse mos të pranojë Kosova të hiqen shkresat e panevojshme dhe të përshpejtohet transporti i mallrave në pikat kufitare?

Pse mos të pranojë Kosova unifikimin e tregjeve të punës, duke lëshuar më lehtë lejet e punës për shtetasit e një vendi të Ballkanit të Hapur, pranimin e ndërsjellë të diplomave dhe kualifikimeve të punës, duke i bërë forcat e punës më fleksibël dhe më të disponueshme dhe kështu shpresojmë të tërheqë më shumë investime?

Të gjitha këto do të duhej të bëheshin për përmirësimin dhe lehtësimin e jetesës së qytetarëve, e që me “Ballkanin e Hapur” do të bëhej edhe më shpejtë se sa që e koncepton Procesi i Berlinit, apo zgjerimi i BE-së.

Sigurisht se do të ishte edhe më e lehtë për Kosovën dhe më e suksesshme për rajonin, sikur Serbisë mos t’i printe Aleksandar Vuçiqi, mohues i gjenocidit. Rezultati i zgjedhjeve në Serbi, në pranverë, ndoshta edhe do të ndikonte në një vendim ndryshe të vendeve që ngurojnë t’i bashkohen, shkaku i Vuçiqit.

Për Kosovën, përveç se ka rëndësi të madhe ekonomike, në një të ardhme do të reflektonte edhe në aspektin politik në marrëdhëniet me Serbinë, hapa përpara drejtë njohjes reciproke ndërmjet dy vendeve.

(Elvinë Sefiu është kryeredaktore në portalin arbresh.info dhe për më shumë se dhjetë vjet ka punuar në medie si gazetare dhe redaktore.)

Lajmet më të lexuara